Policia ka mbyllur çdo rrugë në malin e Tomorrit duke mos lejuar asnjë nga pronarët e guroreve që të ngjiten atje për të vijuar punën.
Me vendimin e Gjykatës në dorë ata kërkojnë nisjën e punës, por kanë hasur në forcën e policisë.
Këtë të martë mes tyre ka patur edhe debate të forta, shkruan Top Channel.
Policia ka ndaluar kamionët në aksin Novaj-Tomorr. Situata e tensionuar ka degjeneruar në disa momente edhe në konflikte të ashpra mes policisë dhe firmave të gurit.
Rreth 130 forca policie janë të shpërndara në të gjithë malin, në tetë pika në akset: Dobrush-Mali i Dobrushës, Bogovë- Selan, Bogovë-Novaj, Pronovik -Novaj dhe Novaj-Rrasë e Novajt.
Ky bllokim duket se do të vijojë deri sa qeveria të përfundojë gjithë procesin e konsultimeve dhe dëgjesave për vendimin e dytë që e shpall Malin e Tomorrit park kombëtar dhe ndalon përfundimisht shfrytëzimin e tij për nxjerrjen e gurëve dekorativë.