Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë zjarri, municion dhe karikatorë gjatë fundjavës në rajonin e Pejës, pas ndërhyrjeve në raste të të shtënave në ahengje familjare dhe kontrolleve të automjeteve në Pejë, Klinë dhe Deçan.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë është regjistruar më 31 korrik në Pejë, pasi policia pranoi informacion për të shtëna me armë gjatë një ahengu.
“Policia ka dalё në vendngjarje dhe aty ka sekuestruar njё armё zjarri dhe njё karikator. I dyshuari ёshtё arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit ёshtё liruar nё procedurё tё rregullt”, thuhet në njoftim.
Një rast tjetër është evidentuar më 2 gusht në Pejë, ku gjatë një pike kontrolli policia ndaloi një automjet dhe gjeti armë e municion.
“Tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: njё armё kal. 9 mm, njё karikator dhe gjashtë fishekë të kal. 7.65 mm. I dyshuari ёshtё arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit me urdhër tё Prokurorit tё Shtetit ёshtё liruar nё procedurë tё rregullt”, njofton Policia.
Ndërkohë, në fshatin Rudicë të Klinës, policia intervenoi pas raportimeve për të shtëna me armë në një aheng, ku konfiskoi tri armë zjarri.
“Tek i dyshuari janё gjetur dhe sekuestruar: njё armё AK-47 dhe njё karikator, njё armё kal. 9 mm dhe njё karikator, njё armё TT kal. 7.62 mm me njё karikator, gjashtё copё fishekë 9 mm, dymbëdhjetë gёzhoja tё kalibrave tё ndryshёm. I dyshuari ёshtё arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit me urdhër tё Prokurorit tё Shtetit ёshtё liruar nё procedurё tё rregullt”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, më 1 gusht në fshatin Isniq të Deçanit, policia u njoftua për të shtëna me armë në një aheng, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
“I dyshuari ёshtё arrestuar nga Policia dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar: njё armё CZP kal. 9 mm, njё karikator dhe pesё gёzhoja”, bën të ditur Policia.
Një ditë më vonë, po në Isniq, gjatë kontrollit të një automjeti në pikë kontrolli, policia gjeti një tjetër armë me municion.
“Tek i dyshuari janё gjetur dhe sekuestruar: njё armё kal. 9 mm, njё karikator, pesёdhjetё fishekë dhe njё mjet i mprehtё (brisk). I dyshuari ёshtё arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit ёshtё liruar nё procedurё tё rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës vazhdon të apelojë te qytetarët që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve dhe festimeve, duke theksuar se raste të tilla përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë publike dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.