Dhjetë ditë pas mbylljes së gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri të Kosovës, Policia ka hyrë në zyrat e njërës prej këtyre selive në Mitrovicë të Veriut sërish të mërkurën. Ndërhyrja ka të bëjë me një kasafortë për të cilën nuk ka pasur çelës në aksionin paraprak, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani.
Siç shkruajnë mediat lokale serbe, pos Policisë së Kosovës, të pranishëm janë edhe zyrtarë të EULEX-it.
Aksioni po kalon pa incidente.
Në aksionin e para 10 dite, Policia e Kosovës mbylli gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro. Përmes Bankës Kursimore distribuoheshin pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.
E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb.
Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euro.
Ndaj aksionit reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që e cilësoi veprimin si përshkallëzues të tensioneve. Edhe Bashkimi Evropian ka deklaruar se ky veprim nxit tensione.
E Qeveria ka thënë se çdo veprim ka qenë i bazuar mbi ligjshmërinë.