Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka biseduar me Dardan Molliqaj, kryetarin e PSD-së i cili me bashkëpartiakë të tjerë kanë shkuar në ZRRE për ta kërkuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.
PSD-ja nuk e ka pranuar vendimin për shtrenjtim të rrymës nga ZRrE-ja, me arsyetimin se nuk është publikuar ende. Ndërsa pas konfrontimit verbal të Dardan Molliqajt dhe aktivistëve të të tjerë të PSD-së me kryesuesin e bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, aty ka mbërritur edhe Policia e Kosovës
“Ne kemi ardhë me e kërku publikimin e vendimit të ZRRE-së”, i tha Molliqaj zyrtarit policor.
Polici kërkoi që të mos pengohen anëtarët e bordit të ZRRE-së dhe të gjendet një rrugë zyrtare e komunikimit.
“Jo na kemi ardhë me i pengu këta”, tha Molliqaj.
Zyrtari policor më pas hyri në dhomën ku po qëndronin anëtarët e bordit të ZRRe-së për të biseduar me ta. Kjo s’i pëlqeu Molliqajt. Për të, ky veprim konfirmon se Kosova nuk është vend demokratik.
“Vjen Policia me e rujt rendin e qetësinë publike dhe tash hyn negocion me Bordin. Qeky në qoftë vend demokratik, ne mbajmë përgjegjësi”.
Ndërkohë, ai dhe të tjerët po presin ulur në korridorin e ZRRE-së për ta parë vendimin për shtrenjtim të rrymës.