Policia e Kosovës vetëm gjatë këtij viti, ka arrestuar 42 persona të dyshuar për marrje me prostitucion, derisa një vit më parë numri i të arrestuarve kishte arritur në 70. Veprimtaria e marrjes me prostitucion, e cila është e ndaluar me ligj në Republikën e Kosovës, duket se nuk i ka ndalur grupmoshat e reja dhe të mesme të merren me këtë gjë.
“Referuar statistika që posedojmë në vitin 2015 janë arrestuar gjithsej 70 persona, kurse për vitin 2016 deri me tani janë arrestuar 42 persona, që tregon se nuk ka luhatje te mëdha në ndryshim të kësaj dukurie ndër vite”, kanë deklaruar për Indeksonline, zyrtarët për informim në Policinë e Kosovës.
Sipas PK-së, veprimtaria e prostitucionit është e zhvilluar në tërë territorin e Kosovës, ndërsa veprimtarët janë të përhapur në rajone të ndryshme, të cilët kryejnë lëvizje të brendshme. Ata tregojnë se operacionet kundër aktiviteteve të jashtëligjshme, kanë rezultuar edhe me mbyllje të lokaleve.
“Arrestime janë zhvilluar në tërë territorin e Kosovës, nuk kemi të veçuar ndonjërin prej tyre, mirëpo që personat e njëjtë të dyshuar në ketë veprimtari ka raste kur i takojmë në rajone të ndryshëm ( bëhen lëvizje të brendshme). Aktivitet operativo-hetimore janë realizuar në gjithë territorin e RKS-së nga Njësitë e DHTQNJ-së, në bashkëpunim edhe me akterët tjerë relevant ku ka rezultuar me arrestim te personave te dyshuar dhe mbyllje te lokaleve”, sqaron policia për Indeksonline, duke shtuar se mosha e këtyre të fundit i përket moshës së re dhe të mesme.