Ushtruesi i Detyrës se drejtorit të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se sipas prokurorit nuk ka pasur ndërhyrje kriminale nga ndonjë faktor tjetër në aksidentin e dy policëve në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, trupit i njërit prej të cilëve është gjetur dje në Lepenc.
Rexha, ka njoftuar se Policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit. Ai gjatë raportimit të Komisionin për Punë të Brendshme, ka deklaruar se automjeti me të cilin ka qenë duke lëvizur policët ka qenë në rregull teknikisht dhe se nuk ka pasur ndërhyrje nga ndonjë faktor i jashtëm në automjet, raporton Ekonomia Online.
“Nga momenti i ndodhjes se rastit e deri me tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe procedurale. Policia në fillim është marrë me administrimin e aksidentit, pastaj është fokusuar ne gjetjen e trupave. Nuk ka pasur kurrfarë ndërhyre nga asnjë faktor i jashtëm në automjet”.
“Automjeti del teknikisht në rregull, duke nënkuptuar sistemet funksionale me te cilat ai duhet të funksionojë. Të gjitha veturat tona i kanë lejet e qarkullimit të cilat lëshoje pas kontrolleve teknike. Punëtoritë tona mobile janë në teren në shërbim të zyrtarëve tanë dhe mjeteve të tyre”.
“Prokurori i rastit të cilit i përket të jap fjalën e undit te rastit, ka paralajmëruar se sipas të gjitha analizave deri në këtë shkale, s’ka pas ndërhyrje kriminale nga ndonjë faktor tjetër. Del se automjeti ka qenë në rregull. Ju siguroj se për faktin e shumë pengesave në procedurat prokuruese për tu furnizues me vetura, e kemi të instaluar sistemin javor të raportimit për gjendjen e automjeteve”, tha Rexha, raporton EO.
Policët Malësor Dashi dhe Armend Trena ishin aksidentuar ditën e shtunë ndërsa vetura e tyre kishte rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Pas gjashtë ditësh kërkimi trupi i pajetë i Malësor Dashit është gjetur dje rreth 5 kilometra larg vendit të aksidentit, ndërsa kërkimet për Armend Trena janë duke vazhduar edhe sot.