Zyra për Informim Publik në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ka dhënë versionin e saj lidhur me rrethanat e arrestimit të shtatë personave në cilësi të të dyshuarve për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Sot me datë 3 mars 2018, në ora 15:45, Policia në Mitrovicë ka pranuar informacionin se një grup prej rreth 20 personash po shkruanin mbishkrime te ndryshme në ndërtesën e Universitetit Publik “Isa Boletini” në Mitrovicë.
“Njësitet policore i janë përgjigjur rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast jane sekuestruar dy boca sprejë/ngjyrë, janë arrestuar shtatë persona dhe gjatë realizimit të detyrave njëri nga të dyshuarit ka shfaqur sjellje agresive dhe policia konform parimeve dhe procedurave për ta vënë nën kontrollë situatën ka perdorë sprejin lotsjellës të cilit person menjëherë edhe i është ofruar trajtimi mjekësor”, thuhet në njoftimin për medie.
Policia mohon se ka përdorur dhunë ndaj të arrestuarve, sikur po pretendon organizata studentore e Vetëvendosjes – SKV. “Të gjitha veprimet e ndërmarra policore kane qenë sipas procedurave, në proporcion me situatën e paraqitur dhe konform autorizimeve ligjore”.
Të dyshuarit pas procedurave intervistuese janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia thotë ss vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbatimin e ligjit dhe në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve konform autorizimeve të parapara me ligj.