Policia e Kosovës ka dalë me sqarim lidhur me hyrje-daljet dhe parkimin e automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Presidencës.
Në një njoftim për media, Policia ka bërë të ditur se sqarimi vjen pas disa kërkesave dhe pyetjeve të pranuara nga mediume të ndryshme, me qëllim të informimit të drejtë të mediave dhe opinionit publik.
“Policia e Kosovës (PK), pas pranimit të disa kërkesave/pyetjeve nga mediume të ndryshme dhe me qëllim të informimit të drejt të mediave dhe opinionit të gjerë, përmes kësaj komunikate zyrtare bënë publike informacionet lidhur me hyrje-daljet dhe parkimin e veturave në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Presidencës”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, Drejtoria e Shërbimeve Teknike të Kuvendit ka kërkuar zyrtarisht që gjatë ditës së sotme, 8 shtator, të mos lejohet hyrja, dalja dhe parkimi i automjeteve në hapësirat e ndërtesës, me përjashtim të veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes.
“Zyrtarë kompetent nga Drejtoria e Shërbimeve Teknike të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes shkresës zyrtare kanë njoftuar dhe njëherit kërkuar nga Policia e Kosovës, që me datën 08.09.2026, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes së Kosovës, të mos lejohen Hyrje-Daljet në vend parkingjet e ndërtesës të asnjë automjeti”, njofton Policia.
Policia ka sqaruar se ndalesa është bërë për shkak të punimeve për pastrimin e oborrit dhe hapësirave të parkingut.
“Arsyeja e kësaj ndalese për datën 08.09.2026, sipas kërkesës zyrtare ishte pastrimi i oborrit dhe vend parkingjeve me mekanizëm adekuat, në të gjitha hyrjet – daljet dhe parkingjet e objekteve, përderisa ditëve në vijim shkresa parasheh kthimin e procedurave të rregullta të hyrje-daljeve dhe parkimit për personat e autorizuar”, thuhet në komunikatë.
Policia ka theksuar se veprimet e saj bazohen në autorizimet ligjore dhe kushtetuese, përfshirë zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës, është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe në rastin e zbatimit të kërkesave zyrtare të institucioneve të RKS-së”, thotë njoftimi.