Policia e Kosovës ka sqaruar se, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 13:05, ia ka refuzuar hyrjen një autobusi të firmës “Kolasin Prevoz” me targa BG, i cili kishte ardhur si linje e lirë (jo e rregullt) nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës.
Në autobusin i cili kishte ardhur pa pasur linjën e regjistruar të qarkullimit, iu është refuzuar hyrja 28 personave, kryesisht të gjinisë femërore të cilat janë prezantuar si “Unioni i grave në Beograd”, të cilën e përfaqësonin gra me profesione të ndryshme, thuhet në njoftimin e policisë.
“Sipas informacioneve të siguruara dhe deklarimit të tyre, njëri nga qëllimet kryesore të kësaj vizite, e këtyre personave ka qenë mbajtja e një proteste në Mitrovicë Veri, andaj bazuar në procedurat e parapara ligjore, në pajtim me ligjin për kontroll dhe mbikëqyrje të kufirit, të njëjtëve iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, për arsye se kanë paraqitur kërcënim për rendin dhe sigurinë e vendit”.
Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë drejtuesit të autobusit dhe përfaqësuesve të këtij unioni,ata janë kthyer në drejtim të Serbisë.
Medie nga Serbia kanë propaganduar sot se Policia e Kosovës nuk ka lejuar sot hyrjen e disa ndihmamve humanitare, të destinuara për serbët e veriut, pas vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës për mallrat që vijnë nga Serbia.