Policia thotë se s’ka elemente të veprës penale tek vërshimi i vendpunishtes së urës mbi Ibër

Prishtinë | 01 Nën 2025 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka vlerësuar se s’ka elemente të veprës penale lidhur me vërshimin e vendpunishtes ku po ndërtohet ura e re në Mitrovicë.

Kështu ka thënë për Dukagjinin, Veton Elshani nga policia në Mitrovicën e Veriut.

“Këtu nuk ka dyshime për vepër penale. Bisedoni me ndërmarrjen ‘Ibër Lepenci’”, tha shkurtimisht ai.

Kujtojmë se edhe Kryeshefi ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ka bërë të ditur se rritja e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër ka shkaktuar dëme tek punishtja e urës së re te “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë dhe se nuk bëhet fjalë për dëme të shkaktuara nga dora e njeriut.

Po ashtu Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”, gjë që mund të shkaktojë mungesë uji në zonat më të larta të qytetit dhe në disa fshatra përreth.

Në njoftim thuhet se impiantet për trajtimin e ujit në Shipol dhe Balinc do të punojnë me kapacitet të reduktuar për shkak të uljes së prurjeve, ndërsa ekipet e ujësjellësit janë në terren duke monitoruar situatën.

“Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e furnizimit sapo të stabilizohet niveli i ujit në kanalin ‘Ibër-Lepenc’”, theksohet në komunikatë.

Të ngjashme