Pronarët e skafeve në Velipojë kanë dalë në protestë, për të kërkuar zgjidhjen e problemit të bllokimit të mjeteve të tyre detare, pasi thonë se janë të rregullt me dokumentacionin dhe janë të kujdesshëm në lëshimin me qira.
Ata shprehen se nuk kanë asnjë shkresë zyrtare për bllokim.
“Ne ushtrojmë biznesin në Velipojë. Kam 14 vite që punoj te pista, jam zonë emergjente. Vetëm hairin ma ka parë policia dhe jo sherrin. Shumë jetë njerëzish kemi shpëtuar. S’po na japin zgjidhje, jo sot, jo nesër. Tatimet dhe dokumentet i kemi në rregull, policia nuk po na jep asnjë zgjidhje. Kërkojmë të na japin një përgjigje. Policia na ka thënë vetëm kemi urdhër nga lart. Asnjë vendim, asnjë shkresë. I ka thënë i madhi, i ka thënë i vogli. Na ka dëmtuar se ne kemi kabina, punëtorë, dokumente, paguajmë taksa, tatime. Nuk na lejojnë, nëse do kundërshtojmë forcat e policisë, të çojnë brenda ata. Ec e gjeje të drejtën. Nuk na kanë dhënë afat, vetëm prit. Kërkesa jonë është të dalim në punë”, ka thwnw njwri nga ta.
Policia kufitare nuk i lejon të dalin në det dhe të ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Pronarët e skafeve kanë kërkuar zgjidhjen e problemit pasi thonw se me këtë biznes sigurojnë të ardhurat e tyre.
“Pas ngjarjes që ndodhi jemi të mërzitur se jemi familjarë vetë. U bllokua çdo gjë, erdhi një urdhër dhe policia kufitare tha se nuk duhen nxjerrë skafet në ujë. Kaq ishte dhe nuk kemi gjetur më asnjë mundësi që të dalim t’i hedhim. E pamë të arsyeshme që t’i drejtohemi medies. I bëjmë thirrje të na japin një zgjidhje. Dikush i ka për të ngrënë bukë, dikush i ka për biznes. Unë jam nga ata që e shfrytëzoj në ndonjë rast të veçantë, por më tepër i kam për qejf”.
Në vendin ku stacionohen skafet në Velipojë, sot në mëngjes kanë qenë edhe policia e kufirit ku janë bllokuar 15 skafe për të mos dalë në det. Ata janë të stacionuar në rërë dhe nuk kanë lëvizur.
Ndërkohë ditën e djeshme, pronarë dhe administratorë të mjeteve lundruese dhe detare kanë dalë në protestë përpara policisë kufitare në Vlorë.
Ata protestuan për bllokimin e lundrimit të mjeteve lundruese pikërisht në kulmin e sezonit turistik.
Masa erdhi pas tragjedisë në 2 gushtit në Potam të Himarës ku skafi i drejtuar nga polici A. T. i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare J. A. në breg të detit.