Në komunat veriore të vendit është vendosur sistemi i vëzhgimit me kamerë.
Lajmin e kanë bërë të ditur Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët.
Aty thuhet se ky aktivitet është në përputhje të plotë me ligjin.
“Bazuar në Ligjin Nr. 04/L-076 për Policinë, Policia e Kosovës është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale, apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale. Andaj, bazuar në kompetencat e Policisë së Kosovës, aktiviteti që është duke u zhvilluar sot në komunat e pjesës veriore të Kosovës, është në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Policinë dhe Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, i cili ligj përcakton qartë kushtet dhe masat që duhet të ndjekin autoritetet gjatë përpunimit të të dhënave personale”, thuhet në njoftim.