Policia zbulon detaje të reja: Tregon armën me të cilën e vrau vëllai në Rahovec dhe si u paraqit i zhdukur nga familja

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bërnjak të Rahovecit, ku personi me inicialet G.K., po dyshohet se ka vrarë vëllain dhe pastaj i ka djegur trupin e tij, shkruan Gazeta Metro.

Policia e Kosovës ka treguar se B.K., ka ardhur nga shteti i Zvicrës dhe fillimisht ishte i paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij.

Mirëpo, pas hetimeve mësohet se vëllai i tij me inicialet G.K., ka vrarë vëllain e tij B.K., e pastaj edhe ja ka djegur trupin të ndjerit.

Policia e Kosovës ka evidentuar disa kocka njeriu në vendin e ngjarjes që po dyshohet se janë të B.K., i vrarë e djegur nga vëllai i tij.

Aty është konfiskuar edhe arma e zjarrit me të cilin është kryer vrasja.

Komunikata e plotë nga Policia:

Arrestohet personi i dyshuar për ,,Vrasje të rëndë” në Rahovec

Me datë 27.02.2020 ne ora 14:10 në stacionin policor ne Rahovec është raportuar një rast person i zhdukur.
Ankuesja femër / kosovare/ shiptare ka raportuar se bashkëshorti i saj mashkull / kosovar / shqiptar i moshës 64 vjeçar ishte zhdukur që nga data 11.02.2020.

Rasti fillimisht është inicuar në stacionin policor në Rahovec ndërsa për shkak të peshës së veprës dhe ndjeshmërisë, rasti ka kaluar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë me datë 13.03.2020.

Pas një pune intensive operative hetimore hetuesit rajonal në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e çështjes kanë arritur të ndriçojnë rrethanat e rastit, kanë identifikuar personin e dyshuar G . K, mashkull / kosovar/ shqiptar i lindur në vitin 1961, si kryes i mundshëm i veprës penale ,,Vrasje e rëndë”.

Sot me datë 09.04.2020 është arrestuar personi në fjalë i cili është familjar i viktimës. Trupi i pajetë dyshohet se është djegur nga i dyshuari, policia ka gjetur vetëm disa mbetje në vendin e ngjarjes.

Poashtu në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave të cilat dyshohet se i dyshuari i ka përvetsuar nga viktima pas kryerjes së veprës, poashtu nga i dyshuari janë konfiskuar edhe dy armë të mbajtura pa leje dhe municion të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Personi i arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit mbahet në ndalim policor.

Të ngjashme