Policit hetues i vazhdohet suspendimi, Koci: Vendimi u mor pasi u krye orari i punës, i paligjshëm

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 20:11 | Nga Ekonomia Online

Arianit Koci, avokati i policit hetues, Idriz Gashit, ka thënë se pas përfundimit të masës së suspendimit, ndaj klientit të tij është dorëzuar një vendim i ri për vazhdimin e kësaj mase.

Koci, vendimin e ri për vazhdimin e masës së suspendimit e quajti të paligjshëm, pa afat dhe pa të drejtë ankese.

“Hetuesit policor Idriz Gashi, sot në ora 12.22 i është rikthyer arma dhe legjitimimi policor, pasi kishte përfunduar afati i suspendimit”.

“Megjithatë, pas përfundimit të orarit të punës, i është dorëzuar një vendim i ri, i paligjshëm, për vazhdimin e masës së suspendimit, pa afat dhe pa të drejtë ankese”, tha Koci.

Më tej, Koci tha se ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas tij, zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar.

“Për më tepër, kjo situatë tregon qartë elemente të një persekutimi ndaj një hetuesi të angazhuar në trajtimin e rasteve më të mëdha të korrupsionit”.

“Një shkelje e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin e Policisë së Kosovës, por edhe besimin në gjithë sistemin juridik të vendit”, tha Koci.

Të ngjashme