Në një tryezë ku është folur për sistemin e drejtësisë në Kosovë, u tha se ky sektor nuk është i pavarur dhe se ndërhyrjet më të madha bëhen nga politika.
Kështu u tha sot në Kolegjin UBT ku u diskutua për “Pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit Gjyqësor të Kosovës”.
Panelistët në këtë tryezë ishin ish-Ombudspersoni i Kosovës, Marek Antoni Nowitcki, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rektori i UBT-s, Edmond Hajrizi, njofton Klan Kosova.
Ish-Ombudspersoni Nowitcki tha se “në një vend ku presionet politike janë të mëdha, gjyqtarët duhet të kanë zemër për të ruajtur drejtësinë”.
Ndërsa, Avokati i Popullit Jashari pranoi se ka raste të shumta të ndërhyrjes politike në gjyqësor, prandaj ai shtoi se duhet që Kuvendi dhe Qeveria të diskutoj për këtë.
Betim Musliu nga IKD tha se “qytetarët janë të barabartë para ligjit, por jo edhe politikanët”.
Ndërsa Rektori Hajrizi u shpreh se ka përparim në respektimin e të drejtave të njeriut, kjo sipas tij si shkak i ndihmës ndërkombëtare.