Shtrirja e ndikimit të politikës në arsim është vërtetuar më së miri këtë vit, kur me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj, u shkarkua i gjithë Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe ushtruesja e detyrës së kësaj agjencie, shkruan sot Koha Ditore.
Bordi në mbledhjen e tij të fundit, më 22 shtator, kishte evidentuar mashtrime të shumta të kolegjeve private në Kosovë. 82 persona shtetas të huaj, me gradë akademike doktor shkence (PhD), të cilët ishin paraqitur në Kosovë si staf i rregullt akademik, ishin identifikuar se kanë marrëdhënie të rregullt të punës edhe në shtetet e tyre të origjinës.
Bordi, po ashtu, kishte tërhequr akreditimin për disa programe që kishin tentuar ta mashtronin agjencinë me profesorë që nuk ushtrojnë aktivitetin në Kosovë, duke ua ka pamundësuar 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria dhe vendet e tjera) të shfrytëzojnë edhe më tej gradën e tyre akademike për interesa të institucioneve të arsimit të lartë. Emrat e këtyre profesorëve ishin përdorur vetëm për qëllime akreditimi, madje disa prej tyre as që kishin qenë ndonjëherë në Kosovë.