Politikani serb, Boban Bogdanoviq në një shkrim të gjatë autorial të botuar në “Danas” ka dhënë detaje për takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe për temat që kanë diskutuar, raporton Gazeta Express.
Bogdanoviq ka thënë se një kohë të madhe të takimit që ka zgjatur rreth dy orë ia kanë kushtuar procesi të Brukselit. Sipas Bogdanoviq pavarësia e Republikës së Kosovës është një realitet dhe kjo duhet t’iu thuhet njerëzve hapur.
Ai thotë se sa më shpejtë që të pranohet ky realitet, aq më mirë do të jetë për të ardhmen.
“Realiteti kosovar është Republika e Kosovës. Dhe kjo duhet t’iu thuhet njerëzve hapur. Mjaft më me gënjeshtra, mite e fshehje. Sa më shpejt ta pranojmë realitetin aq më shpejt do të jemi në rrugën drejt së ardhmes”, ka shkruar Bogdanoviq.
“Një sërë vendimesh politike në periudhën nga viti 1999 e deri më sot e njohën Kosovën, duke përfunduar me Marrëveshjen e Brukselit. Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv është nën juridiksionin e Republikës së Kosovës dhe gjithçka është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Çdo organizatë politike në Republikën e Kosovës është e regjistruar në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e saj. Qytetarët e Kosovës mbrohen me ligjet e Kosovës, qofshin ata serbë, shqiptarë apo pjesëtarë të ndonjë bashkësie tjetër etnike.
Këto janë faktet dhe unë si përfaqësues i gjeneratës së re të politikanëve serbë nuk dua të fshihem pas atyre fakteve dhe i akuzoj të gjithë ata që e pranojnë realitetin politik të Kosovës si tradhtarë, siç bën presidenti i Serbisë, ai i cili kontribuoi më së shumti që Kosova të jetë shtet i pavarur”, shkruan ndër të tjera Bogdanoviq.
Ai tutje ka treguar se në takimin me Kurtin kanë përmendur pak edhe presidentin serb, Aleksander Vucic, kanë folur për Listën Serbe dhe gjithashtu edhe për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.