Politikani serb Nenad Çanak viziton varrezat e Mejës, hidhëron disa bashkëkombas të tij

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Politikani serb dhe ish kryetari i Kuvendit të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka nxitur reagime në Serbi e Kosovë, pas postimit të një fotografie me rastin e vizitës që u bëri varrezave në Meje të Gjakovës.

“Të gjitha nënat në botë qajnë për fëmijët e tyre në gjuhën e njëjtë”, ka shkruar ai, në Twitter.

Çanak, që ka qenë edhe deputet në parlamentin shtetëror në Beograd, është njëri nga politikanët e rrallë në Serbi që viziton një vend me viktima shqiptare të luftës, të vrarë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, më 1999.

Masakra e Mejës është më masivja, më tragjikja dhe më e dhimbshmja në Kosovë. Më tepër se 370 burra e djem janë vrarë në këtë fshat të Gjakovës, më 27 prill 1999.

Postimi i Çanak ka nxitur reagime jo të pakta te serbët. Disa e kanë mbështetur, e ndonjë tjetër e ka kritikuar.

“Keni mundur ta vizitoni edhe ndonjë vend serb”, i ka shkruar një dikush me llogarinë Stefan.

Përgjigja e politikanit nga Vojvodina ka qenë epike.

“Graçanicën, për shembull? Etno shtëpinë? Pyetini njerëzit a kam qenë atje”, ia ka kthyer Çanak.

Në fakt, si dëshmi për këtë e ka postuar edhe një foto të djalit të tij nga Gracanica, të realizuar para përmendores së Milosh Obiliqit, në qendër të kësaj komune kosovare.

Çanak, që njihet si njëri nga politikanët e parë serbë që ka kundërshtuar regjimin dhe politikat e Sllobodan Millosheviqit, të paktën sipas disa fotografive dhe cicërima në Twiter, ka qëndruar në Kosovë, ditëve të fundit.

Të ngjashme