Politikat ekonomike dhe tregtare të Qeverisë Kurti janë duke i ushqyer projeksionet destabilizuese dhe hegjemoniste të Serbisë

Prishtinë | 25 Dhj 2022 | 13:03 | Nga Afrim Kasolli

Shtimi dhe intensfikimi i shmbimeve tregtare me Serbinë, pikërisht edhe në mandatin e kësaj qeverie, mbart edhe një paradoks tjeter.

Sepse ai po ndodhë në një kohë kur është vërtetuar se kjo paradigmë është devalvuar globalisht. Deri para pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia ishte shpresuar se sa më shumë që shtohej këmbimi tregtar i nje vendi demokratik me një shtet autoritar po ashtu mund t’i hapej rruga e demokratizimit të regjimeve te tilla jodemokratike.

Falë këtij iluzioni, Rusia e Putinit dhe Serbia e Vuçiqit, sidomos per shkak të bashkëpunimit me Gjermaninë, vetëm sa u forcuan ekonomikisht. Dhe kështu i konsoliduan edhe më tej regjimet e tyre anti-demokratike dhe i ushqyen prirjet agresive.

Se kjo qasje kane qenë gabim, sot po potencohet gjithnjë e me shumë nga vetë autoritetet e shtetit gjerman. Kurse besimi se konvergjencat politike mund të prodhohen nëpërmjet lidhjeve tregtare u tregua fatal. Dhe se ai i dëmtoi me shumë vendet demokratike sesa ato autoritare. Madje, vetë ministrja e Punëve të Jashme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, para pak dite e denoncoi atë mendësi që biznesin e konsideron para se gjithash primar.

Ne këtë kontekst, në një kohë kur Perëndimi dhe veçanërisht Gjermania, është duke bërë perpjekje maksimale per ta korrigjuar një gabim te tillë gjeoekonomik, kjo qasje ka lulëzuar më shumë se kurrë me parë, nën qeverisjen e Albin Kurtit. Dhe mjerisht ajo është bere efektive pikërisht kur është falsifikuar si opsion politik pozitiv.

Sepse ne vend të korrigjimit të shteteve dikatoriale dhe demokratizimit të tyre nëpërmjet tregtisë, ajo në fakt i sforcon synimet dhe prakitikat e tyre destabilizuese dhe agresive. Kështu me vetëdije apo pa vetëdije, apo në mungesë të një alternative tjetër, politikat ekonomike dhe tregtare të kesaj qeverie ne raport me Serbinë vetem sa janë duke i ushqyer projeksionet destabilizuese dhe hegjemoniste të ketij shteti.

Fatkeqësisht e tillë di shpeshherë të jetë politika. Me veprimet tona i kontribuojmë te kundërtës së asaj qe e proklamojmë dhe propagandojmë.

Të ngjashme