Abdullahu: Reciprociteti me Serbinë i rrezikshëm, taksa duhet të pezullohet

Prishtinë | 02 Nën 2019 | 08:19 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Reciprociteti me Serbinë të cilin e ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje po shihet i dëmshëm nga politikologët.

Ata thonë se partitë e dala fituese duhet t’i ruajnë marrëdhëniet me SHBA-në ngase reciprocitetit është i rrezikshëm nëse zbatohet.

Duke folur për procesin e dialogut dhe taksën, politikologu Faton Abdullahu në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se SHBA-ja në mënyrë specifike kërkon ta suspendojmë taksën dhe të vazhdohet me dialogun.

“Të gjithë ne edhe forcat që dolën fituese në zgjedhje kërkojnë involvimin e SHBA-së, por në kohën kur pret dhe kërkon ndihmë nga SHBA-ja duhet të jesh kooperues me SHBA-në, nuk duhet në asnjë mënyrë të thuash se ne sidomos këtë thotë VV-ja se taksën do ta zëvendësojmë me reciprocitet. Reciprociteti është shumë i rrezikshëm nëse zbatohet  ndërkohë që VV-ja do të vazhdohet me reciprocitet e jo me taksën derisa LDK-ja vazhdon me hamendësim paqartësi në këtë aspekt ngase nuk e ka guximin për të vendosur kështu apo ashtu gjë që e koklavitë edhe më shumë punën”, tha Abdullahu.

“Nëse shkojmë me reciprocitet ne po ndërmarrim hapa shumë të gabuar. Me reciprocitet ata që po e përkrahin reciprocitetin në raport me Serbinë po thonë se ne do të sillemi me Serbinë ashtu sikur sillet ajo me ne. Kjo konsideroj që është e gabuar nëse kihet parasysh fakti se SHBA-ja në mënyrë specifike, të qartë kërkojnë që ne ta suspendojmë taksën, ne nuk mund t’i themi partnerëve tjerë që le te ndalë Serbia diplomacinë agresive mandej ne e anulojmë taksën. Jemi ne të parët që duhet të ndërmarrim hapa të parë për t’ia lehtësuar veprimet SHBA-së dhe partnerëve tanë”.

Abdullahu tha se taksa duhet të pezullohet dhe jo të zëvendësohet me reciprocitet.

“Taksa duhet të pezullohet me patjetër dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësohet me reciprocitet. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që ndihma jonë konkrete dhe më e madhe na vie nga SHBA-ja, çfarëdo qasje tjetër do të ketë efekte të vazhdueshme negative për zhvillimet kruciale në Kosovë e sidomos për ato në raport me Serbinë”.

Ai thotë se dy partitë fituese të zgjedhjeve, VV-ja dhe LDK-ja duhet të jenë unike në dialogun me Serbinë.

“Ky ka qenë një mësim i mirë të cilin duhet ta nxjerrin dy forcat fituese të zgjedhjeve të fundit që të jenë unike, mund të ketë mosmarrëveshje të natyrave të ndryshme për çështje të ndryshme, por kur të vjen puna te dialogu me Serbinë duhet të jenë unik. Me asnjë deri më tani ato nuk po na japin dëshmi të mjaftueshme mbi të cilën qytetari i Kosovës mund të jetë i rehatshëm dhe t’i gëzohet rezultatit të zgjedhjeve duke menduar se VV-ja dhe LDK-ja do të jenë unike përballë Serbisë gjë që determinon rezultate të mira për ne”.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për liberalizimin e vizave të cilin e ka lidhur me një kartë të cilën po e ruan Bashkimi Evropian dhe të cilën thotë se me gjasë ata e kanë ruajtur në procesin e dialogut.

“Bashkimi Evropian nuk ia ka dhënë qytetarit të Kosovës vizat që të udhëtojë lirshëm ai në Evropë, me këtë Brukseli e ka ruajtur një kartë ekstra  në politikën e saj ndaj Kosovës që ta përdorë në rrethana tjera, kur dhe si do ta përdorë Brukseli kartën e vizave në raport me Kosovën mbetet të shihet, ka mundësi që këtë kartë rezervë Brukseli e ka ruajtur që ta përdorë në procesin e dialogut me Serbinë dhe kjo është brengosëse ngase ne kemi qenë shumë kryeneç duke insistuar në taksën dhe taksa nuk është që e ka forcuar unitetin e Kosovës, nuk është që e ka mbrojtur territorin e Kosovës, nuk është që dikush ka dashur të bëjë shkëmbim territoresh dhe taksa qenka ajo që e ka mbrojtur Kosovën, qytetari i Kosovës tregoi që nuk ka menduar ashtu dhe ashtu doli”, thotë ai.

Të ngjashme