Haradinaj: Qeveria në detyrë po bën shkelje recidive të Kushtetutës, i bëj thirrje që të reflektoj

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka dënuar shkeljen për të dytën herë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me masat për ndalim të lëvizjes së lirë.

Haradinaj i ka quajtur “shkelje recidiviste të Kushtetutës” veprimet e vazhdueshme të kryeminsitrit në largim, Albin Kurti, ministrit të Shëndetësisë në largim, Arben Vitia, si dhe të U.D të ministrit të Brendshëm në largim, Xhelal Sveçla.

“Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës janë në fuqi që të ruajnë rendin kushtetues, jetën dhe të drejtat e njeriut. Shkelja recidiviste e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nga Kryeministri në largim, Albin Kurti, Ministri në largim Arben Vitia dhe U.D i Ministrit në largim Xhelal Sveçla, fatkeqësisht shkaktuan pasoja në shumë drejtime deri edhe në humbjen e jetës së një të riu.

Qeveria në largim, me qasje të njëanshme dhe autoritare shpërfilli vendimet e Gjykatës Kushtetuese, shpërfilli ligjet dhe protokollet për ofrim të ndihmës të domosdoshme shëndëtesore”, ka shkruar Haradinaj.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës në largim që t’i kthehet respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“I bëj thirrje Qeverisë në largim që të kthehet në kushtetutshmëri e respektim të ligjeve që të ruhet rendi kushtetues, ligjshmëria dhe jeta e qytetarëve të vendit”, ka shkruar Haradinaj.

Të ngjashme