Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online se hapja e negociatave për anëtarësim në BE nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është lajm jashtëzakonisht pozitiv pas një stërzgjatjeje shumë të paarsyeshme nga ana e Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për Ballkanin Perëndimor.
Lideri i PDK-së thotë se tani është momenti që BE të marrë vendim pa asnjë vonesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij Kosova ka vite që i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.
Kreu i PDK-së ka folur edhe për krizën e rëndë ekonomike në vend, me inflacion mujor deri në 14 për qind, ndërkohë që Qeveria, sipas tij, ka qenë totalisht neglizhente, jokompetente dhe e paaftë për të ndërmarrë masa për ta lehtësuar jetën e familjeve kosovare.
“Sot shohim që e vetmja mundësi që i ka mbetur Qeverisë është penalizmi i bizneseve të Kosovës dhe kjo nuk e ndihmon rritjen e ekonomisë sepse nuk është as duke i ndihmuar familjet e Kosovës. Idetë e Qeverisë për të ngarkuar bizneset dhe sipërmarrësit, e në Kosovës shumica dërrmuese mbi 95 për qind janë biznese të vogla dhe biznese të mesme, shumica mikrobiznese, vërtet është një tendencë për t’i penalizuar familjet e Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.
EO: Fillimisht do të ndalem sot tek Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që edhe zyrtarisht nisën negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një proces domethënë i stërzgjatur që më në fund mori edhe drejtimin e tij. Si e vlerësoni këtë momentum të ri, për Ballkanin Perëndimor dhe a është kjo një shenjë e mirë që së shpejti do të kemi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën?
Memli Krasniqi: Jo vetëm për këto dy shtete po për të gjithë rajonin tonë sepse pas një stërzgjatje e vonese shumë e paarsyeshme sot më në fund mund të themi se është kthyer një mirëbesim por edhe një shpresë për Ballkanin Perëndimor, për sa i përket procesit të integrimit të shteteve tona në BE. I kam përgëzuar edhe vendimin e Maqedonisë së Veriut për ta pranuar propozimin francez, për zhbllokimin e situatës dhe mbi të gjitha shkuarjen përpara në procesin e anëtarësimit edhe për Shqipërinë e cila kishte mbetur në një formë peng i kësaj mosmarrëveshje.
Është meritor, padyshim si hap edhe si proces, ka vite që ne të gjithë besojmë që edhe Shqipëria por edhe Maqedonie e Veriut është dashur që ta nis procesin e negocimit dhe është një sihariq i mirë, është një shpresë edhe për Kosovën që përfundimisht përkundër vonesës krejtësisht të paarsyeshme dhe të padrejtë në raport me ne të miratohet vendimi për lejimin e udhëtimit pa viza, pra liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kjo është një e drejtë e jona e cila besoj edhe është e merituar, qysh nga viti 2018 së pak, sepse ne qysh atëherë kishim plotësuar të gjitha kriteret, kërkesat dhe rekomandimet të cilat kishin ardhur nga udhërrëfyesi dhe tashmë vërtetë nuk duhet të ketë asnjë vonesë. Kërkesa jonë dhe insistimi jonë është që vendimi të merret pa asnjë vonesë dhe normalisht pa asnjë kriter shtesë të kërkuar sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë që të udhëtojnë lirshëm në zonën e Shengenit sa më herët që të jetë e mundur.
EO: Në anën tjetër po shohim një gjendje shumë të vështirë me të cilën po përballen edhe qytetarët e vendit. Ka disa muaj që qytetarët po ballafaqohen edhe me krizë ekonomike, rritjen e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, të derivateve dhe të energjisë, domethënë kanë vështirësuar mirëqenien e tyre. Në anën tjetër shohim një mosveprim nga ana e Qeverisë për ta zbutur këtë situatë. Si e vlerësoni në tërësi këtë gjendje dhe çfarë duhet të bëjë Qeveria më konkretisht?
Memli Krasniqi: Është fatkeqësi vërtetë që në kohën e fundit ne po shënojmë rekorde të zeza nga dita në ditë. Kemi pasur mbi 14 për qind inflacionin në muajin qershor. Kemi pasur çmime gati 2 euro për një litër naftë, kemi pasur çmime gati një euro për një bukë, kemi pasur rritje të çmimeve për çdo produkt bazë gjatë gjithë këtyre muajve dhe fatkeqësia është në faktin që Qeveria ka qenë totalisht neglizhente, totalisht jokompetente dhe totalisht e paaftë për të ndërmarrë çfarëdo mase për ta lehtësuar këtë barrë jashtëzakonisht të rëndë të qytetarëve dhe familjeve kosovare.
Ne kemi dhënë një sërë propozimesh që nga viti i kaluar për sa i përket energjisë fillimisht, duke e ndjerë dhe duke e parë që po vinte një krizë e jashtëzakonshme dhe gjithçka kishte mbetur në heshtje nga ana e Qeverisë. Pastaj, fatkeqësisht u realizuan të gjitha ato parashikime që nuk ishin aspak pozitive, përkundrazi ishin shumë negative. Ne përfunduam me propozimin e Qeverisë për të na rritur energjinë në mbi 200 për qind tek pjesa e tarifave të shtrenjta. Në shkurt, por në mënyrë konkrete në mars, ne kemi propozuar masat adekuate për ti implementuar Qeveria në mënyrë që të lehtësohej barra financiare sa i përket rritjes së çmimeve.
Asnjë nga këto veprime nuk është ndërmarrë, sot shohim që e vetmja mundësi që i ka mbetur Qeverisë është penalizmi i bizneseve të Kosovës dhe kjo nuk e ndihmon rritjen e ekonomisë sepse nuk është as duke i ndihmuar familjet e Kosovës. Idetë e Qeverisë për të ngarkuar bizneset dhe sipërmarrësit, e në Kosovës shumica dërrmuese mbi 95 për qind janë biznese të vogla dhe biznese të mesme, shumica mikrobiznese, vërtet është një tendencë për t’i penalizuar familjet e Kosovës.
Nëse me logjikën e njëjtë siç kanë filluar të përcaktojnë marzhën e fitimit për derivatet e naftës, nëse mendojnë që ta caktojnë marzhën e fitimit për çdo produkt esencial kjo është mënyra e gabuar. E para sepse nuk do t’i ulin çmimet në nivelin sa do të duhej dhe sa do të ishte e përballueshme për qytetarët tonë dhe në anën tjetër do të vështirësonin funksionimin dhe mbijetesën edhe të ndërmarrësve të Kosovës.
Kërkesat dhe propozimet tona janë të qarta, janë konkrete. Qeveria është dashur që të heq tatimin mbi vlerën e shtuar për të gjitha produktet bazike që janë pjesë të shportës esenciale. Është dashur po ashtu të ndërmerrte masat e njëjta edhe për derivatet ku ne kemi propozuar edhe heqjen e akcizës, në këtë mënyrë ne sot nuk do të kishim nga 1 euro e 75 cent litrin e naftës po do ta kishim 1 euro e 10 apo 1 euro e 15 cent. Ndërsa, çmimet që nga mielli, gruri, orizi, vaji e gjithçka tjetër që është pjesë e shportës esenciale do të ishin shumë më të përballueshme. Duhet ta kemi të qartë që kriza ekonomike, ende nuk e ka arritur pikun dhe kjo është vërtetë alarmuese sepse ne do të ballafaqohemi me një dimër të ashpër, i cili do të jetë shumë i ashpër në kuptimin social dhe ekonomik.