Pacolli i shkruan publikisht kryeministrit Kurti, pasi ky nuk po i kthen letrat; e njofton se ia ka përgatitur një njohje

Prishtinë | 19 Dhj 2021 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AKR-së, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka shkruar kryeministrit Albin Kurti një letër në faqen e tij në Facebook, pasi thotë se ndryshe nuk po mund ta kontaktojë, ku e njofton se e ka përgatitur një njohje për shtetin e Kosovës.

Ish-kryediplomati Pacolli thotë se presidenti i një shteti është i interesuar të vijë javën e ardhshme në Kosovë për ta zyrtarizuar njohjen e pavarësisë.

Pacolli ka shkruar në Facebook se ia ka dërguar Kurtit mesazhin e këtij presidenti në WhatsApp dje, por lë të kuptohet se nuk ka marrë përgjigje.

LETRA E PLOTË:

Letër kryeministrit Kurti,

I nderuar zoti kryeministër,

Takimi ynë i fundit me ju ishte një natë para zgjedhjeve presidenciale, kur ju kishit nevojë për votën time.

Duke e ditur se ju nuk përgjigjeni ne letrat e mia, (ashtu siç nuk iu përgjigjët dhe as atyre letrave që kërkoja lirimin e instrumenteve mjekësore, sipas rregullave, për Spitalin e Pediatrisë që i kishit bllokuar në terminalet doganore)

Duke ditur këtë, më mbetet vetëm t’ju drejtohem publikisht.

Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, pēr të kryer formalitetet e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj në këtë shtet.

Gjithçka është e rregulluar, zotni Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj.

Unë, si gjithmonë, jam në dispozicion për gjithçka që keni nevojë rreth kësaj njohje.

Me nderime,
Behgjet Pacolli

Të ngjashme