Sahatqija tregon prapaskenat: Daçiqi erdhi na fyejti

Prishtinë | 10 Qer 2019 | 23:11 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është debatuar për raportin tremujor të shefit të UNMIK-ut, ka pasur polemika të ashpra në mes ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku dhe shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Ndërsa, ky i fundit, duke parë se gënjeshtrat e tij nuk po shiten më, ka sulmuar verbalisht dhe ka fyer ambasadoren Çitaku pas përfundimit të mbledhjes.

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, e ka shfrytëzuar edhe këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit për të bërë akuza e shpifje në drejtim të Kosovës, veçmas lidhur me aksionin policor në veri të Kosovës kundër zyrtarëve policorë të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Akuzave të Daçiqit i është përgjigjur në mënyrë të argumentuar ambasadorja Çitaku, e cila ka kërkuar edhe largimin e misionit të OKB në Kosovë, duke thënë se ai e ka humbur kuptimin.

Mbase i nervozuar që shpifjet dhe akuzat e tij në KS të OKB nuk janë përfillur pothuaj nga askush, shefi i diplomacisë serbe, pas përfundimit të mbledhjes ka sulmuar verbalisht ambasadoren Çitaku.

Teuta Sahatqija, konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, e cila ishte e pranishme në mbledhjen e KS të OKB, ka sqaruar për Telegrafin gjithë ngjarjen.

Ajo tregoi se gjatë fjalimit të saj, ambasadorja Çitaku tha se “Kosova nuk është produkt i secesionit prej Serbisë por produkt i dekolonizimit prej saj”.

“Daçiqi nisi menjëherë me fyerje e fjalë të rënda, duke thënë se ajo [Çitaku] po gënjen dhe se nuk është e vërtetë”, tha Sahatqija, për Telegrafin.

Të ngjashme