Tahiri: Prezantimi i buxhetit nëpër komuna është mashtrim, ky buxhet i ka këto tri probleme

Prishtinë | 04 Dhj 2022 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se prezentimi i Buxhetit që po u bëhet qytetarëve në komuna është mashtrim i madh, sepse buxheti i vitit 2023 është miratuar në Qeveri pa asnjë konsultim paraprak me komunat dhe qytetarët.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar për tri probleme të çështjes së Buxhetit.

Postimi i tij i plotë:

Buxheti i vitit 2023 është miratuar në Qeveri pa asnjë konsultim paraprak me komunat dhe qytetarët. Prezantimi nëpër komuna është mashtrim i ulët që u bëhet qytetarëve.

Në esencë janë tri probleme:

– E para, në mungesë të rezultateve, Qeveria ka nisur të prezantojë buxhetet edhe të komunave, kur dihet se buxheti komunal është i rregulluar si financim i rregullt, llogaritur 10% e buxhetit të shtetit në grantin e përgjithshëm, ai për arsim dhe shëndetësi;

– E dyta, se kjo Qeveri edhe po cenon përditë pavarësinë e komunave me akte arbitrare, si ai për grabitjen e të hyrave vetanake, por njëkohësisht paturpësisht po sillet si një organizate humanitare, që këta u dhanë kaq miliona komunave, ndërkaq çdo projekt i madh investiv nga qendra është shkurtuar dhe nuk ka ndodhur asnjë konsultim për to.

– E treta, nëse Qeveria do donte t’i ndihmonte komunat dhe shërbimet më të mira, nuk do ta hiqte nga agjenda legjislative miratimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku parashiheshin financimi i shërbimeve sociale, por edhe mjetet që po mbaheshin nëpër ministri, ku do të shpenzoheshin në zhvillim.

Qeveri, mos bëni lojë numrash me qasjen se ky është buxheti me i madh ‘historik’ sepse është vetëm aq sa është reflektuar inflacioni, asgjë më pak e asgjë më shumë.

Të ngjashme