Zëdhënësi i Qeverisë për debatin në Kuvend: Opozita me gjasë nuk deshën të vazhdojnë, veçse kishin filluar ta humbnin

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Grupet parlamentare opozitare kanë lëshuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku pati debat parlamentar për politikën e jashtme, për shkak se nga salla u largua kryediplomatja Donika Gërvalla e po ashtu në sallë nuk ishte as kryeministri Albin Kurti.

Për këtë çështje doli me një njoftim zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se edhe Kurti edhe Gërvalla patën takime në agjendë me mysafirë të huaj që po qëndronin në Kosovë në vizitë zyrtare.

“Zëvendëskryeministrja Gërvalla pati takim me ministrin e qeverisë së Izraelit, Esawi Frej i cili është në vizitë zyrtare në Kosovë. Kryeministri Kurti sapo përfundoi takimin me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, e cila po ashtu është në vizitë zyrtare në Kosovë. Menjëherë pas takimit, deri sa ishte rrugës për në Kuvend, kryeministri Kurti u njoftua se seanca është shtyrë”, ka shkruar Kryeziu.

Zëdhënësi qeveritar po thotë se të gjithë deputetët, e ndoshta më së miri ata që në kaluarën kanë qenë pjesë e ekzekutivit, e mirëkuptojnë se takimet e nivelit të tillë konfirmohen paraprakisht dhe nuk mund të shtyhen.

Kryeziu kritikoi opozitën se lëshimi i sallës nga deputetët opozitarë u bë më shumë se “e humbën” debatin parlamentar.

“Meqë kryeministri Kurti e zëvendëskryeministrja Gërvalla munguan vetëm një orë gjatë një debati parlamentar që di të bëhet gjithë ditor, shtyrja e seancës për shkak të mos-prezencës së tyre më shumë duket të jetë pretekst se sa arsye. Me gjasë nuk deshën të vazhdojnë një debat që veçse kishin filluar ta humbnin”.

Të ngjashme