Rrjeti i institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës ka kërkuar që Ministria e Kulturës të mos jetë pjesë e pazareve politike për ndarjen e pushtetit midis partive.
Kjo kërkesë është përsëritur një ditë pasi disa parti politike kanë ndarë mes vete pushtetin ekzekutiv, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas asaj që është bërë publike, është Partia Demokratike e Kosovës ajo që do të caktojë ministrin e ardhshëm të Kulturës.
Drejtori ekzekutiv i RrIPAK-ut, Albert Heta dhe anëtari i Bordit, Sali Shoshi në emër të Rrjetit që numëron mbi 30 organizata kulturore, kanë thënë se udhëheqja e MKRS-së duhet t’i takojë shoqërisë civile.
“Kultura do të duhej të ndahej nga pazaret politike dhe ashtu siç e kemi thënë ishte dashur t’i jepej përgjegjësia shoqërisë civile. Mendojmë se e nominuara, Besa Luzha do të mundë t’i udhëhiqte këto procese”, ka thënë Shoshi duke përsëritur kërkesën e Rrjetit, që nëpërmjet një kumtese qe bërë para edhe dy javësh.