Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka bërë thirrje për “progres real” në marrëdhëniet dypalëshe me Bjellorusinë, pas takimit që zhvilloi në Minks me presidentit bjellorus Aleksandr Lukashenka.
“Jemi të bindur se së bashku mund të arrijmë progres real në çdo dimension të marrëdhënies sonë”, tha Pompeo gjatë konferencës së përbashkët për media me Lukashenkan.
Ndërkaq, presidenti Lukashenka i tha sekretarit Pomepo se “është mirë që keni ardhur në Minks pas disa keqkuptimeve ndërmjet Bjellorusisë dhe SHBA-së”.
Vizita e sekretarit Pompeo në Bjellorusi përbën vizitën e parë të një Sekretari amerikan të Shtetit në këtë vend, që prej se Warren Christopher shoqëroi presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton gjatë vizitës në Minsk më 1994.
Presidenti bjellorus, Lukashenka shtoi se shpreson “të hapet një kapitull i ri” në marrëdhëniet e vendit të tij me Shtetet e Bashkuara.
Sekretari Pomepo arriti në Bjellorusi pasi vizitoi Londrën dhe Ukrainën, si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të shprehur mbështetje për Kievin, në atë që zyrtarët amerikanë e quajnë luftën kundër “agresionit rus”.
Pas Bjellorusisë, Pompeo do të vizitojë edhe Kazakistanin dhe Uzbekistanin.