Pompeo nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Greqinë

Prishtinë | 06 Tet 2019 | 07:55 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se 5 mijë demostrues grekë marshuan dje para ambasadës amerikane në Athinë, duke protestuar kundër vizitës së sekretarit të Shtetit Mike Pompeo. Në disa raste policia u përlesh me protestuesit, të cilët hodhën bojë të kuqe mbi statujën e presidentit amerikan Harry S. Truman.

Disa pjesëmarrës në protestën e organizuar nga sindikata e punës që mbështetet nga komunistët grekë, dogjën flamuj amerikanë dhe të NATO-s pranë ambasadës, ndërsa brohorisnin kundër vizitës së zotit Pompeo dhe bazave amerikane atje.

Gjatë vizitës në Greqi, kryediplomati Pompeo dhe homologu grek nënshkruan një pakt të rishikuar për bashkëpunimin mes dy vendeve. Shtetet e Bashkuara e cilësojnë paktin si kritik për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë në pjesën lindore të Detit Mesdhe.

Sipas marrëveshjes, kërkohet shtimi i aktivitetit amerikano-grek në bashkëpunim me NATO-n në disa pjesë të atij vendi si Larissa, Stefanovikio dhe Alexandroupoli. Po ashtu kërkohen edhe përmirësime në infrastrukturë dhe bazën detare në Gjirin Souda. Protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj pranisë së bazave amerikane në Greqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme