Kandidati i presidentit Donald Trump për sekretar Shteti, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, u përball me pyetje të forta lidhur me hetimet mbi Rusinë, marrëdhëniet e tij me presidentin si dhe vatrat e nxehta të globit gjatë seancës për konfirmimin e kandidaturës së tij, të enjten, para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Nuk do të flas për bisedat që kam bërë me presidentin,” tha zoti Pompeo në përgjigje të pyetjes nga anëtari më i lartë demokrat i komisionit, Robert Menendez, lidhur me përçmimin shumë të përfolur që ka presidenti për ish-drejtorin e FBI-së James Comey si dhe për hetuesin special, Robert Mueller.
“Unë flas shumë me presidentin, por kurrë nuk më ka kërkuar të bëj ndonjë gjë që do ta konsideroja ndopak të parregullt,” tha zoti Pompeo, bën të ditur “Zëri i Amerikës”.
Senatorë të të dyja partive theksuan nevojën që sekretari i Shtetit të jetë në gjendje të operojë në relata shpesh të trazuara me Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë në gjendje t’i bëjë rezistencë presidentit kur është e nevojshme.
“Ju keni krijuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin… shumë individë me pikëpamje të palëkundura janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen,” tha kryetari i komisionit, republikani Bob Corker.
“Populli amerikan është shumë i shqetësuar nga një president që manifeston qëndrime jo të përgjegjshme, si një fëmijë shkolle, kur kundërpërgjigjet për luftën bërthamore,” tha Senatori Menendez. “A do të jeni ju zëri i logjikës në administratën Trump apo do ta mbështesni presidentin edhe kur dëshmon instiktet e tij më të këqija?”
Zoti Pompeo u përgjigj duke folur për të kaluarën si oficer në ushtri. “Ma merr mendja i keni dëgjuar historitë, apo karakterizimin për mua se i përkas vijës së ashpër. Por askush nuk e kupton vlerën e diplomacisë si dhe tmerrin dhe tragjedinë që përbën lufta, më mirë se një person që ka veshur uniformën ushtarake. Rezultatet më të mira gjinden gjithmonë në tryezën e negociatave diplomatike”.
Zoti Pompeo shtoi gjithashtu se nuk ushqen iluzione lidhur me synimet e Rusisë si kundërshtare e Amerikës.
“Nuk ma kalon njeri kur është fjala tek bindja ime se çfarë kërcënimi paraqet për Amerikën Rusia. Kjo administratë do të vazhdojë të ndërmarrë veprime reale për t’iu kundërpërgjigjur Moskës,” tha zoti Pompeo.
Gjatë kohës kur ishte anëtar i Kongresit, Mike Pompeo ishte kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin që u nënshkrua gjatë administratës Obama.
Me përjashtim të senatorit Rand Paul nga Kentaki, senatorët republikanë pritet ta mbështesin kandidaturën e zotit Pompeo. Pjesa më e madhe e demokratëve nuk janë prononcuar, por disa kanë shprehur shqetësim për këtë kandidaturë pasi zoti Pompeo shihet si përfaqësues i vijës së ashpër në politikën e jashtme.
Kandidati i Presidentit Trump për Sekretar i Shtetit, Mike Pompeo, tha në seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij se nuk ka arsye që ai të konsiderohet si pasues i vijës së ashpër.