Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Uashingtoni nuk do ta lejojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore, pasi Republika Islamike tha se planifikon të rrisë kapacitetin e pasurimit të uraniumit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i bëri këto komente në Twitter duke shtuar se Irani “është i vetëdijshëm për vendosmërinë” e ShBA-së.
Këtë javë, Irani tha se ka nisur procesin për rritjen e kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit, në rast se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 kolapson.
Më këtë marrëveshje me gjashtë fuqi botërore, Irani është pajtuar të frenojë aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Por, muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga traktati, duke rrezikuar mbijetesën e tij.