Në edicionin e sotëm të Info Magazine është diskutuar për përvojat rajonale të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Zlatko Popoviq, ekspert i këtyre çështjeve nga Mali i Zi, ka thënë se situata në Ballkan është e ngjashme kur flitet për sigurinë e punëtoreve në vendet e punës.
“Të gjitha këto vende i kanë problemet e njëjta, për aksidentet në punë, për kushtet e punës. Duhet të punojmë qe vendet e punës të jenë më të sigurta”, ka thënë Popoviq në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Vetëm kur të bashkëpunojmë me tërë rajonin atëherë mund ta kemi një situatë më të mirë. Duhet të flasim për problemet, për sigurinë dhe për kulturën e shëndetit në tërë rajonin të flasim për mentalitetin tonë si ballkanas. Ne duhet të flasim që në vendet e punës të ketë më shumë siguri”.
Popoviq, ka thënë se në këtë drejtim rol të madh kanë edhe investitorët e huaj sepse ata kanë kulturë të sigurisë brenda kompanive të tyre.
“Investitorët e huaj kujdesen jo vetëm për kulturën e sigurisë por edhe për sigurimin shëndetësor, sepse është një çështje shumë më rëndësi për kompanitë e huaja”.
“Ata vetëm duhet të jenë të sigurt për investimet e tyre që i bëjnë në këto vende, sepse shpesh ata nuk investojnë në vende ku politika nuk është shumë e qëndrueshme ose edhe ka probleme të tjera – siç i kemi në Ballkan”.