Poppe viziton MAShTI-n, informon për hapat drejt anëtarësimit në organizatën e Frankofonisë

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Eric Poppe ka vizituar ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në kuadër të aplikimit për avancimin e statusit të Kosovës në ONF nga anëtar i asociuar në anëtar me të drejta të plota.

Poppe u prit nga Sekretarja e Përgjithshme, Fadile Dyla, dhe një delegacion i zyrtarëve të lartë në MASHTI, të cilët e informuan në lidhje me veprimet dhe hapat e ndërmarrë për plotësimin e kritereve për anëtarësim në ONF. Këtu përfshihet përfaqësimi i Kosovës në Qendrën Rajonale të Frankofonisë për Evropën Juglindore (CREFECO), pjesëmarrja aktive në aktivitetet e ONF-së, promovimi i mësimit të gjuhës frënge në shkollat tona etj.

“Mësimi i gjuhës frënge, si një ndër gjuhët më të rëndësishme në kontinentin evropian, hap dyer të shumta përmes të cilave nxënësit tanë mund të zhvillojnë potencialin e tyre në vendet frëngjishtfolëse, ndaj kjo gjuhë ka rëndësi dhe interes të veçantë në rrafsh nacional dhe botëror”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Të ngjashme