Për të gjithë ata që nuk kishin mundësi për udhëtime të gjata, Durrësi ishte një tjetër destinacion i preferuar për të kaluar këto ditë të para të vitit të ri.
Të favorizuar edhe nga moti i mirë, qytetarë të shumtë kishin zgjedhur këtë fundjavë bregdetin për të festuar dhe pushuar.
Temperaturat e larta, jo normale për këto dite të para të janarit, janë shfrytëzuar nga ata që e pëlqejnë detin jo vetëm në verë, që të shijojnë rrezet e diellit në bregdetin e Durrësit.
Jo vetëm pedonalet buzë detit por dhe baret e restorantet kane qenë të tejmbushuara në dy ditët e para të këtij viti.
Durrësi është zgjedhur si vendi i duhur për të kaluar këto ditë festash jo vetëm nga banorët e Tiranës dhe banorët e zonave përreth saj, por dhe nga shumë shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë së Veriut.