Në 3 vitet e fundit, skuadra e Porsches ka vendosur diktatin e saj në garën e “24 Hours Le Mans” me fitoret e arritura.
Tani kompania e famshme gjermane e prodhimit të makinave po mendon të nisë një aventurë të re, ndoshta atë të botërorit të Formula 1.
Lajmi bëhet i ditur nga Auto Bild, sipas së cilës, drejtuesit e Porsches kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në takimin e kompanive të motorëve për të diskutuar për rregullat që do të vendosen për botërorin pas vitit 2020, takim që do të zhvillohet në Austri.
Po kështu, drejtuesit e Porsches deklaruan se nuk e garantonin vijimin në garën e Le Mans dhe se duhet të marrin një vendim në lidhje me këtë çështje.
Zërat për një përfshirje të mundshme të Porsche në Botërorin e Formula 1 filluan të qarkullonin pas pranisë së drejtuesve të McLaren, Zak Brown dhe Eric Boullier në garën e Le Mansit kur u fol edhe për një interesim të tyre për motorët e kësaj skuderie, pavarësisht zërave që flasin për një bashkëpunim të mundshëm me Mercedes.
Por Formula 1 nuk është opsioni i vetëm për Porschen. Kompania gjermane nuk e mohon mundësinë që të jetë pjesë e Botërorit të Formula E që konsiderohet si një alternativë tjetër për të.