Portieri i Liverpoolit, Adrian, ka thënë se ai nuk është aspak i frikësuar për kthimin e ndeshjeve të Premierligës në mes të krizës së shkaktuar nga Coronavirusi.
Liga elitare e futbollit në Angli ka qenë e suspenduar që nga marsi, shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19 në botë. Tash e një kohë janë diskutuar shumë opsione për kthimin e mundshëm të ligës, përderisa Liverpooli mban epërsinë prej 25 pikësh në krye të tabelës.
Të hënën, qeveria britanike e publikoi një dokument 50-faqesh që i tregonte hapat e zbutjes së masave për vetëizolim në Angli, ku Premierliga parashihej të mund të riniste pas 1 qershorit.
Dokumenti u publikua një ditë pasi kryeministri Boris Johnson i bëri të qarta planet e tij për zbutjen e masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes edhe më të madhe të koronavirusit.
Por, para se të kthehen ndeshjet e Premierligës, fillimisht do të duhet që klubet të kthehen në disa seanca stërvitore në mënyrë që lojtarët të kthehen në formën e tyre të mëparshme, si dhe t’i kryejnë të gjitha testet mjekësore.
Udhëzimet e qeverisë britanike e kanë bërë të qartë se kushdo që kthehet në stërvitje në kampin e klubit duhet të ketë pranuar vetë ta bëjë këtë gjë, përderisa secili mund të zgjedhë edhe ta vazhdojë karantinën, pa pasur të drejtë klubi ta detyrojë të vijë në kamp stërvitor.
Megjithatë, Adrian, i cili i ka bërë 18 paraqitje për Liverpoolin këtë sezon, e ka bërë të qartë se ai është gati të kthehet dhe nuk do ta shfrytëzojë mundësinë për t’i refuzuar stërvitjet.
“Nuk jam aspak i frikësuar”, ka thënë Adrian, në një intervistë të dhënë për Cope Seville të mërkurën.
“Ne kemi respekt, shumë respekt dhe përgjegjësi. Është një situatë mjaft serioze, por ne jemi profesiomistë. Ne jemi këtu shkaku i asaj që jemi”. /Gazeta Express/