Me kërkesën e trajnerit Pep Guardiola, skuadra e Manchester Cityt është e gatshme ta shpërblejë me kontratë afatgjate portierin e Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, ka shkruar të martën “The Sun”.
Me kontratën e re, atij do t’i trefishohet edhe paga te kampioni në fuqi i Premier Leagues. Te City po e vlerësojnë shumë Muriqin dhe Guardiola nuk dëshiron ta humbasë sikur shumë lojtarë të tjerë të rinj të akademisë kohëve të fundit, shkruan sot Koha Ditore.
Muriq 20-vjeçar këtë edicion e ka stabilizuar veten si portieri i dytë te City pas lëndimit të Claudio Bravos. Ai para fillimit të këtij edicioni u kthye te City pasi ishte huazuar në Holandë, te NAC Breda për të fituar përvojë. Muriq deri më tani ka katër paraqitje te City, të gjitha në ndeshje të kupës.
Muriq aktualisht ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2020 dhe pagë javore prej tre mijë funteve. Me kontratën e re, paga e tij do të rritet në dhjetë mijë funte në javë.