3.5 milionë euro është shuma që Posta e Kosovës po ia kërkon aksionarit të saj, Qeverisë së Kosovës, për të mbuluar humbjet e saj.
Por Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) po refuzon ta bëjë një gjë të tillë, duke e quajtur kërkesën të parregullt, shkruan sot Koha Ditore.
E pa këto mjete, Posta nuk ka mundur t’i ekzekutojë pagat e muajit prill për gjithë punëtorët e saj.
“Përkundër përpjekjeve maksimale që ka bërë Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i ndërmarrjes në rritjen e numrit të shërbimeve të reja në Postën e Kosovës, zvogëlimin e shpenzimeve operative, si dhe të gjitha shpenzimeve të tjera, prapëseprapë gjendja në ndërmarrje mbetet e rëndë. Vonesat në kryerjen e obligimeve të pagave për punonjësit na kanë shqetësuar shumë, ndërkaq reagimet dhe kërkesat e sindikatave për ekzekutim të pagave i konsiderojmë të drejta”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Arsim Mehmeti.
Mirëpo në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se përgjegjësia për gjendjen financiare të kompanisë u takon drejtuesve të saj. Në përgjigjen e Zyrës për media të kësaj ministrie thuhet se menaxhmenti duhet që të bëjë një plan të reduktimit të shpenzimeve, t’i rishikojë politikat e punësimit, si dhe të rrisë vëllimin dhe cilësinë e shërbimeve, në mënyrë që të tejkalojë këtë situatë.