Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim të jashtëzakonshëm, emisionin e pullës postare me titull “30 Vjetori i Grevës së Minatorëve”.
Përmes pamjes së pullës postare, nderojmë kontributin e minatorëve të “Trepçës” në mbrojtjen e autonomisë së Kosovës, që në vitin 1989 regjimi ish jugosllav kishte filluar ta rrënoi me forca policore dhe ushtarake.
Në galerinë e horizontit 10-të të minierës ishin ngujuar 1300 minatorë në grevë urie, të gatshëm për ta flijuar edhe jetën për interesat tona kombëtare, për dinjitet të popullit dhe brezave tanë të ardhshëm.
Greva e minatorëve u shndërrua në rezistencë gjithë popullore, me një sensibilizim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që pati për vuajtjet e popullit shqiptar të shtypur nën egërsinë e regjimit të ish Jugosllavisë.
Mbi 1200 minatorë u dënuan me nga 30 e nga 60 ditë heqje lirie, ndërsa ndaj organizatorëve dhe udhëheqësve të kombinatit u zhvilluan procese monstruoze politike.
Përkundër dhunës serbe forcohej rezistenca e popullit shqiptarë dhe vendosmëria për realizimin e aspiratës shekullore, që kulmoi me luftën e armatosur të UÇK-së dhe me përkrahjen e NATO-s, sollën çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999.
Filatelia e Postës së Kosovës, do të kujdeset që përmes kësaj pulle postare të prezantojë rrugëtimin e popullit tonë deri tek liria. Greva e minatorëve ishte një prej ngjarjeve të mëdha historike të shtetit të Kosovës.