Postimi prekës i njeriut më të afërt të Anton Berishës: Isha me ty në çdo fazë të këtij rrugëtimi, edhe kur i mbijetove sulmit

Prishtinë | 03 Jan 2025 | 18:58 | Nga Ekonomia Online

Agron Kacoli, njeriu që i ka qëndruar pranë në çdo situatë për 25 vjet ish-diplomatit Anton Berisha, ka bërë një postim prekës për vdekjen e tij.

Ai ka kujtuar kohën pasluftës kur kanë punuar bashkë në OSBE dhe punën e Berishës në ARKEP, derisa ka përmendur edhe se si i kishte mbijetuar një sulmi pas luftës në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

“Nuk po di, a me e kujtu kohën e pasluftës, kur punonim bashkë në OSBE, mes shtëpive të djegura dhe një ekonomie të shkatërruar, por të lumtur që ishim gjallë e shëndosh. A me e kujtu krijimin e ART-së, tani ARKEP, kur ti jepje maksimumin tënd, ndërkohë që hijenat donin me t’hanger gjallë. Ti i mbijetove një sulmi terrorist të papare pas luftës në Kosovë dhe nuk u dorëzove, as nuk u tërhoqe”, ka shkruar Kacoli.

Ka theksuar kontributin e tij në diplomaci, si ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni e zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe përfaqësues për Vatikanin.

“A me e kujtu diplomacinë, ku ti shkëlqeje – duke nisur nga para lufta, e duke vazhduar pas shpalljes së pavarësisë si ambasador i parë i Kosovës në Slloveni, pastaj si zëvendësministër i Jashtëm dhe përfaqësues për Vatikanin? Takimi me Papën e Shenjtë, ku fytyra jote shkëlqente nga gëzimi. Isha me ty, isha aty krah teje. Isha me ty në çdo fazë të këtij rrugëtimi qe zgjati mbi 25vite! Kujtimet e mia me ty, Anton Berisha, nuk i zë ky libër i zi. Lamtumire shoki!”, përfundon postimi i tij.

Berisha vdiq dje pas një sëmundje të shkurtër.

Të ngjashme