Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, ka marrë vendim që kryetari i Bordit, Bashkim Nurboja, të marrë përkohësisht postin e Guernatorit, ndërsa dy anëtarët joekzekutivë të Bordit do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve.
“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhet në komunikatën e shtypit, të lëshuar pas mbledhjes.
“Vendimi si më lartë është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Guvernatorit të deritanishëm të BQK-së, Fehmi Mehmeti, i ka kaluar tashmë mandati, ndërsa përzgjedhja e guvernatorit të ri është ende në procedurë në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës.