Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk ka arritur t’i votojë ekspertët që do të angazhohen për hetime, raporton Ekonomia Online.
Arsyeja e këtij dështimi ishte mospajtueshmëria ndërmjet pozitës dhe opozitës për numrin e saktë të ekspertëve. Pozita kërkoi dy ekspertë, ndërsa nga opozita u kërkuan të jenë tre ekspertë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, tha se emrat e propozuar janë gati veçse kërkojnë miratimin e deputetëve.
“Ne e kemi dorëzuar CV-në e anëtarëve, janë të printuara nëse është nevojshme edhe me emër mundem por mendoj qe duhet t’i votojmë në pako të tre ekspertet ashtu siç jemi marr vesh në mbledhjen kaluar”, tha ajo
Por për numrin e ekspertëve nuk u pajtua Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, kërkoi që të mos jenë më shumë se dy ekspertë.
“Çdo vendim që merret në komision është vendim që votohet nuk kemi votuar të kemi tre ekspertë, mendojmë që propozimi ynë është të shkojmë me dy ekspert, një propozim i juaj si opozitë e një ne si pozitë”, tha Pacolli.
Votim sa më të shpejtë të ekspertëve kërkoi edhe deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi.
“Unë mendoj që tre ekspertë nuk janë shumë, e dimë që ka një punë të madhe. Ne kemi ardh me një ekspert, me një emër të ekspertit të pavarur dhe propozojmë në pako t’i votojmë ne po i dorëzojmë CV-të e tyre dhe të mos jetë problematikë, një apo dy ekspertë”, tha Dumoshi.
Ndonëse ky diskutim zgjati për një orë, votimi i tyre u shtye për një mbledhje tjetër.