PPSE përmbyll me sukses 12 vjet mbështetje për zhvillimin e turizmit dhe ushqimit në Kosovë

Prishtinë | 13 Nën 2025 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Në mesin e shumë partnerëve afatgjatë, përfaqësuesve institucionalë dhe miqve të shumtë, u përmbyll me sukses projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), një program 12-vjeçari i zbatuar nga Swisscontact, e financuar dhe mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim.

Ky projekt ka lënë gjurmë të rëndësishme në sektorin e turizmit dhe ushqimit, duke i dhënë kahje të re zhvillimit ekonomik lokal dhe punësimit në Kosovë.

Vetëm një dekadë më parë, potenciali turistik i vendit ishte kryesisht i pashfrytëzuar, pavarësisht pasurisë së trashëgimisë kulturore dhe peizazheve të saj natyrore.

Falë kontributit të PPSE-së, Kosova është shndërruar në një destinacion të strukturuar, të njohur për turistët dhe të gatshëm për investime nga investitorët potencial.

Në eventin përmbyllës, ambasadori i Zvicres në Kosovë Jurg Sprecher, është shprehur se ndihen krenar me arritjet e programit PPSE përgjatë këtyre 12 viteve.

“Është kënaqësi dhe privilegj i madh për mua të jem këtu për të shënuar dymbëdhjetë vjet mbështetje të Zvicrës për industrinë e turizmit dhe ushqimit në Kosovë. Kjo mbështetje afatgjatë është një dëshmi e partneritetit të fortë që Kosova dhe Zvicra kanë ndërtuar. Jemi veçanërisht krenarë për rezultatet e PPSE sepse mbështetja jonë për sektorët e turizmit dhe ushqimit në Kosovë ka krijuar mundësi unike për të ndihmuar qytetarët.” tha ambasadori Sprecher.

Në anën tjetër, drejtori i Swisscontact, Fisnik Reçica, ka potencuar se PPSE ka qenë pjesë e udhëtimit të Kosovës drejt një ekonomie më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse.

“Ky udhëtim ka qenë gjithmonë më shumë se thjesht arritja e treguesve apo numrave. Ai ka qenë për njerëzit, institucionet dhe bizneset që ndajnë një vizion të përbashkët: ta bëjmë Kosovën një vend ku rritja ekonomike sjell mundësi të qëndrueshme dhe reale. Ne kemi mundësuar ndryshime sistemike në sektorët e Ushqimit dhe Përbërësve Natyrorë, si dhe në Turizëm, duke nxitur inovacionin dhe modernizimin e prodhimit, produkteve dhe shërbimeve.” përfundoi në fund drejtori Reçica.

Drejtori i Përgjithshëm i KIESA, Zef Dedaj ka thënë se shteti i Zvicres mbetet partner kryesor i vendi si në aspektin e investimeve dhe atë të shërbimeve tregtare.

“Vlera e shtuar e këtij projekti ka qenë ta nxisë inovacionin kryesisht në fushën e turizmit por edhe të produkteve të ushqimit. Bashkëpunimi ynë ka qenë shumë i ngushtë sepse kemi organizu panele të ndryshme në disa shtete të Evropës dhe ndikimi i tyre ishte i rëndësisë së lartë. Përveç punëve të mira që janë prezantuar nga PPSE-ja, janë gjeneru analiza të thella e ku janë delegu rezultate konkrete.” theksoi Dedaj.

Projekti ka mbështetur hartimin dhe miratimin e Ligjit për Turizmin dhe Strategjisë Kombëtare të Turizmit, si dhe përgatitjen e mbi 15 planeve komunale për zhvillimin e destinacioneve, të zhvilluara bashkërisht me komunitetet dhe sektorin privat.

Një tjetër dimension i rëndësishëm i projektit ishte aktivizimi i tregut turistik, krijimi i operatorëve të rinj, guidave dhe bujtinave për qëndrim në zonat malore, rrugët gastronomike  dhe festivalet lokale që tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë.

Një nga arritjet domethënëse u veçua krijimi i GuideKS, rrjetit të udhërrëfyesve të certifikuar që garanton standarde të larta profesionale në të gjithë vendin.

Përveç turizmit, PPSE ka ndikuar ndjeshëm edhe në sektorin e ushqimit, duke mbështetur prodhuesit dhe bizneset e vogla në ngritjen e cilësisë, inovacionit dhe qasjes në tregje të reja.

Projekti ka ndihmuar në krijimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerës, duke nxitur punësimin dhe zhvillimin rural, ngritjen e cilësisë së ushqimit, ndërtimin e fidanishteve moderne, hapjen e rrugëve të eksportit për produktet vendore si dhe certefikimin e kompanive organike.

Gjatë zbatimit të projektit janë punësuar 10,800 persona dhe janë krijuar 1,600 vende të reja pune, ndërsa në sektorin e përpunimit të ushqimit janë hapur 2,100 vende shtesë.

Rreth 37% e të punësuarve janë gra dhe 12% përfaqësojnë komunitete minoritare, duke e bërë programin gjithëpërfshirës.

Në anën tjetër, janë rritur të ardhurat e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla me 7.5 milionë franga derisa janë lidhur edhe 322 partneritete.

Në eventin përmbyllës, përfaqësues të institucioneve, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë e vlerësuan kontributin e PPSE-së në transformimin e qëndrueshëm të dy sektorëve kyç për ekonominë e Kosovës.

Të ngjashme