Para disa ditësh, përderisa po kaloja nëpër tituj portalesh, më rastisi ta lexoj një shkrim të një shtetasi, i cili ishte orvatur të shprehë pikëpamjet e tij, rreth profilit të “një kryeministri” që i duhet Kosovës.
Natyrisht, përderisa autorin nuk e njoh personalisht, duke u nisur nga konsideratat e plota të respektit për ata që shprehin pikëpamje e analiza, veçmas në të shkruar, që në fillim dua të theksoj se orvatja e tij ishte simpatike dhe e vlerësoj si të tillë. Megjithatë, përderisa Kosova e ka një kryeministër, i cili natyrisht se do të zëvendësohet herë do kur, pyetja rreth profilit që do të duhej ta kishte një kryeministër i ardhshëm i Kosovës është intriguese dhe meriton t’i kushtohet vëmendje më tepër sesa thjeshtë simpati.
Nisur nga kjo konsideratë, u nxita të bashkëbisedoj me autorin e atij shkrimi, pikërisht përmes këtij shkrimi, duke shtruar një pikëpamje që e rrëzon të parën, gjithmonë duke ruajtur konsideratën dhe vlerësimin për autorin në fjalë.
Sipas shtetasit në fjalë, Kosovës me gjasë “i duhet një kryeministër i sfondit ekonomik”. Pra, dikush që ka cilësi të ndërmarrësit, biznesmenit të dëshmuar, ekonomistit dhe menaxherit. Natyrisht se autori i atij shkrimi nuk është se ka pasur në mendje një emër të përveçshëm, por ai me gjasë është nxitur nga motivi për ta parë Kosovën tek lëvizë në një trajektore të zhvillimit ekonomik. Prandaj, më shumë ekonomik e më pak politik, është formulë krejt e arsyeshme që autori ka dashur ta kumtojë në shkrimin e tij.
Varësisht nga formimi që kemi secili prej nesh, si dhe nga stimujt përmes së cilëve aderojmë në botën që na rrethon, është fare e kuptueshme që të kemi edhe një ide, rreth asaj se çfarë boshllëku do të duhej të përmbushte “kryeministri”. Për qytetarin që kishte shkruar këtë pikëpamje, përvoja e deritanishme me kryeministra nuk është bindëse. Ai e do një kryeministër që operon në terma ekonomik. E do një CEO që ka kompetencë. E do një ndërmarrës që nuk ka kokëçarje për entuziazmin e politikës, por ka kokëçarje për Excel Sheets të bilancit ekonomik të vendit. Pra, një “Elon Musk” kosovar, i shkarkuar nga e kaluara, i çliruar nga e tashmja dhe ambicioz për nga e ardhmja.
Kjo kërkesë është fort normale, veçmas kur pothuajse të gjithë ne i kemi parë dhe po shohim modele kryeministrash, prej të cilave s’jemi mjaftuar dhe të cilët nuk mjaftojnë, për atë çfarë në të vërtetë i duhet Kosovës.
Por a është një CEO, zgjidhja optimale për “kryeministër të një vendi”. A është një “Elon Musk”, formula që i duhet Kosovës? Kësaj pyetje më duhet t’i përgjigjem me shkronja kapitale: JO.
Arsyet e kësaj JO-je, po i jap të listuara në vijim:
a) Së pari, shteti është marrëdhënie sundimi, e jo një makineri operative e standardizuar. Për faktin se shteti është marrëdhënie sundimi, pushteti si mjet i sundimit legjitim është i thirrur të menaxhojë rrethanat politike, të cilat janë komplekse dhe i nënshtrohen presionit social. Rrjedhimisht, kryeministri do të duhej të ishte ai që në radhë të parë e kupton përmasën e pushtetit në kompleksitetin e vet. I kupton simptomat shoqërore dhe i kupton shkaqet e tyre. I ka të qarta veprimet që sigurojnë një balanc dhe një korridor për shfryrjen e simptomave. I ka të qarta përgjegjësitë makro që e lidhin me detyrën, si dhe manovrat politike që ia sigurojnë vazhdimësinë në detyrë. Një, që di të lexojë situatat dhe skenarët një hap para veprimit, dhe që di të tërhiqet nga veprimet përballë situatave. Një, që nuk e ka në mëndje përgjegjësinë përballë taksambledhësve, por përgjegjësinë përballë taksapaguesve. Një, që e kupton dinamikën dhe përditshmërinë e atyre mbi të cilët mbështetet për ta ushtruar funksionin e vet. Rëndom një “CEO”, nuk kupton asnjërën nga këto. Për “CEO”n, detyra e parë është xhiro qarkullimi.
b) Së dyti, shteti është “subjekt” që përfytyrohet, e jo një “korporatë” që drejtohet. Shteti dallon nga korporata për shkak se baza e tij është e vendosur në idenë e bashkësisë politike që përbëhet nga shumë grupe me interesa të ndryshme, të cilat duhet të zgjedhin mospajtimet. Për dallim, baza e korporatës është e vendosur në idenë e një kapitali profitabil, me mision të definuar, ku secili që punon në të është i prirur për ta mirëmbajtur profitin dhe për ta zgjeruar tregun. Këto dy anë të mos përputhshme, nuk mund të drejtohen nga një mentalitet i njëjtë. Përpjekjet për të drejtuar një shtet me mentalitet korporativ, kanë dështuar radikalisht, si nga ana e fashizmit, ashtu edhe nga ana e komunizmit.
c) Së treti, shteti është manifestim i një vullneti kolektiv, e jo manifestim i një interesi specifik. Një kryeministër i përgjegjshëm e kupton se drejtimi i shtetit duhet të shkojë në përputhje me vullnetin kolektiv, të cilin në tërësinë e tij e formojnë qytetarët e zakonshëm. Një “CEO” i mësuar të operojë me zgjidhjet profesionale e të adoptuara nga ekspertët dhe teknokratët, nuk ka as sens, as zgjidhje e as vullnet t’i përziejë pikëpamjet e veta profesionale me pikëpamjet “vulgare të turmave”, pasi që po ta bënte, nuk do të ishte më as një “CEO” si profesionist, dhe as një “kryeministër” si populist.
d) Së katërti, qeveria është pushtet që ushtrohet në të gjitha drejtimet për aq sa përfshin sfera publike. Madje, për shkak të natyrës së saj si “pushtet” ajo shpesh prek edhe sferën private. Për t’ia dalë suksesshëm në këtë ambient konfliktual, në linjën e hollë nëpër të cilën rrugëton një kryeministër, atë zakonisht e udhëheqin tre elemente qendrore: domosdoshmëria, arsyeja dhe kooperimi. Domosdoshmëria përfshinë realizimin e projekteve që stimulojnë ciklin e shpërndarjes dhe rishpërndarjes së taksave. Arsyeja përfshinë idenë legjitime për një ndërmarrësi të tillë, e cila pastaj bëhet normë legale përmes ligjit. Ndërsa kooperimi, përfshinë rehabilitimin e palëve dhe interesave të grupeve shoqërore, siç është ruajtja e konsideratës për opozitën, grupeve të ndryshme sociale etj. Pra, një kryeministër duhet të kooperojë me një ambient real e jo virtual. Në këtë drejtim, vështirë është të besosh se një CEO që ka operuar me strategji, plane e konkurrencë, të shndërrohet krejt papritur në një kryeministër që operon me realitete, kooperim e rehabilitim.
e) Së pesti, një kryeministër ka përgjegjësi për mënyrën se si e trajton të kaluarën dhe të tashmen, në mënyrë të ndërlidhur, ngase është përgjegjës për hallkën e hises së tij në histori. E historia, nuk është përmbledhje datash. Është shumë më shumë se kaq. Kjo përgjegjësi nuk mund të kuptohet pa e pasur të kultivuar përbrenda, sensin komunitar dhe raportin në mes të “vdekurit, të gjallit e të pa lindurit”. Një detyrë e tillë është e papërballueshme për një CEO, kushdo qoftë ai.
Për fund, një “CEO” mund fare lehtë të bëhet kryeministër i Kosovës dhe uroj që qytetari që kishte shkruar këtë perspektivë ta shohë në vepër një të tillë. Megjithatë, cilësitë e kryeministrit për nga natyra, i tejkalojnë dhjetëfish, cilësitë e çdo biznesmeni e menaxheri. Se a kemi në mesin tonë, një “CEO” që i përafrohet edhe cilësisë së një kryeministri, kjo mbetet të shihet në të ardhmen. Përgjigje për këtë, mund dhe duhet të na japin partitë politike, përderisa unë dhe autori i atij shkrimi me gjasë, duhet të mjaftohemi me shtrimin e pyetjeve, si një nga detyrat civike të qytetarëve aktivë.