Prangosja e 48 policëve kufitarë dhe dy doganierëve erdhi pas hetimeve gati njëvjeçare, ata dyshohen për përfshirje në 400 raste ryshfeti e korrupsioni

Prishtinë | 14 Mar 2022 | 15:20 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë të përbashkët me drejtorin i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe kryeshefin e IPK-së, Kushtrim Hodaj, kanë dhënë detaje për operacionin “Pika”, ku janë arrestuar 48 zyrtarë të PK-së dhe dy nga Dogana e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Lumezi, duke folur për operacionin, i cili është zhvilluar nga Prokuroria Speciale, Inspektorati Policor dhe i mbështetur nga AKI-ja dhe Policia, ka përmendur se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është në agjendën e vendit në procesin e liberalizimit të vizave.

“Ky është një sukses i madh i institucioneve zbatuese të ligjit, faktikisht lufta kundër krimit të organizuar është në agjendën e vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave dhe në këtë drejtim kryeprokurori i Prokurorisë Speciale e ka shënjestruar këtë lëndë dhe do të marrim veprimet e tjera me institucionet e tjera”, ka thënë Lumezi.

Ai shtoi se janë gjithsej 68 persona të dyshuar, ku 18 prej tyre janë në arrati.

“Në momentin e zbulimit të identiteteve të kryerësve të veprave penale, kemi nxjerrë aktvendim për zhvillimin e hetimeve kundër 68 personave. Sot jeni njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës. Ndërsa personat e tjerë, ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve, janë në arrati, disa nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”, tha Lumezi.

Në konferencë u bë me dije se të arrestuarit dyshohen për përfshirje në mbi 400 raste të veprave kriminale si marrje e ryshfetit, korrupsion dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy komandantë të policisë kufitare.

Kryeprokurori Lumezi, ka thënë se në aksionin e sotëm të koduar me emrin “Pika”, janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 prej të cilëve janë në Policinë e Kosovës dhe dy të tjerë zyrtarë të shërbimit doganorë, ndërsa aktvendimi është marrë për gjithsej 68 persona të dyshuar për vepra penale “marrje të ryshfetit”.

“Lidhur me aksionin që është ndërmarrë sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ju njoftojmë se pas një periudhe hetimore të gjatë rreth 1 vjeçare, faktikisht nga muaji maj kemi filluar me hetimin e këtij rasti në bashkëpunim me IPK-në. Me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë për këtë rast”.

“Gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë për të siguruar prova të mjaftueshme se po kryhen vepra penale të marrjes së ryshfetit në pika doganore. Në moment të zbulimit të identiteteve të kryeseve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër 68 personave, sot jeni njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga shërbimi doganor”.

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, tha se në mesin e të arrestuarve janë edhe dy komandantë të pikës kufitare. Ai tha se të njëjtit janë suspenduar. Ai tha se zyrtarët e arrestuar nga Policia dhe Dogana ishin përfshirë në “mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Inspektorati ka realizuar operacionin “Pika”. Realizimi i operacionin është përkrahur nga AKI-ja dhe ka rezultuar i suksesshëm. Inspektorati muaj më parë ka pranuar dokumentacione për aktivitete të kundërligjshme të disa zyrtarëve policor. Me autorizim të Prokurorisë janë përdorur edhe masa të fshehta të vëzhgimit. IPK ka arrestuar 48 zyrtarë policor, 2 doganier. Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit dhe janë suspenduar. Dyshimet janë që është zhvilluar korrupsion, marrje të ryshfetit në këmbim të lejimit të mallrave ilegale. Janë arrestuar edhe dy komandant”, tha ai.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit janë të involvuar në qindra herë, apo mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, theksoi Hodaj.

E drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se përkundër këtij aksioni, siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal.

“Policia e ka prioritet forcimin e integritetit duke identifikuar rreziqe brenda organizatës. Misioni dhe prioriteti ynë është integriteti policor, duke luftuar dukuritë negative të individëve të caktuar. Policia do të vazhdojë angazhimin e detyrave. Pikërisht kjo çka ndodh sot jemi duke ndërmarrë veprime operacionale. Pjesë e operacioni ka qenë edhe policia e Kosovës. Ajo pse disa individë janë korruptuar ka pasur raste gjithmonë. Ajo çka ndërmarrim janë trajnimet, inspektimet. Janë larguar disa për ryshfet. Ma të sigurt jemi sot sesa që kemi qenë dje. Fakti që policia e ka fuqinë dhe vullnetin me luftu korrupsionin ndihemi më mirë sesa dje. Siguria në pikat kufitarë është në nivelin maksimal”, tha ai.

Të ngjashme