I akuzuari për zjarrvënie, Elvis Jusufi, cili kishte tentuar t’ia vë flakën automjetit të gazetarit Shkumbin Kajtazi ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Natasha Radoviq, i akuzuari ka deklaruar se e ndien veten fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E pranoj fajësinë për këtë vepër penale, e di që kam gabuar dhe jam penduar thellë nga perspektiva e sodit, nuk do ta bëjë këtë vepër dhe premtoj se nuk do ta bëjë as në të ardhmen. I kam kërkuar falje të dëmtuarit, por edhe tani i kërkoj shumë falje”, tha i akuzuari Jusufi.
Prokurorja Radoviq, ka deklaruar se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë, pasi që sipas saj pranim i fajësisë ka mbështetje në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, dhe i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor, duke marrë për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësuese.
Ndërkaq, avokati Gani Rexha deklaroi se pas konsultimit me të, i akuzuari e pranoi fajësinë me vullnet të plotë dhe pa kurrfarë ndikimi, e se pranimi i fajësisë është në përputhje me shkresat e lëndët dhe provat materiale.
“Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit mbrojtja nënkupton dorëzimin e tij para drejtësisë, e po ashtu dëgjuam pendimin e të akuzuarit dhe pretendimet e tij së në të ardhëm nuk do të merret me veprime kriminale, është i moshës së re, është hera e parë qe ka rënë në konflikt me ligjin, andaj duke i pasur parasysh këto rrethana lehtësuese që ndaj tij të shqiptoi një dënim të kushtëzuar pasi që në këtë rast penal nuk kemi edhe pasoja”, tha ai.Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësi i çështjes, Rrahman Beqiri e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 22 mars 2021, në ora 11:40.Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 tetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Elvis Jusufi.
Sipas aktakuzës, më 13 qershor 2020, rreth orës 23:30 minuta, në rrugën “Evlia Qelebia”, në Mitrovicë i pandehuri i shtyrë nga motive të ulëta si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i emocionuar për shkak të pakënaqësisë së tij me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi Zë”, me dashje me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër automjetit të tipit “Golf 6”, në shfrytëzim nga i dëmtuari Shkumbin Kajtazi duke e ditur vendndodhjen e automjetit të lartcekur me një shishe të plastikës me mbishkrimin Spring, të siguruar paraprakisht e të mbushur me benzinë e kishte stërpikë atë në pjesën e sipërme të përparme të anës së majtë (mbi motor), e në gomën e parë të pjesës së majtë të përparme me një letër të ndezur kishte tentuar t’ ia vë flakën, por pasi ka dëgjuar alarmin e veturave të policisë kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’ rast nuk kishte arritur që ta realizoj apo kryejë veprën penale.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi.2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.