I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pranvera e hershme e vitit 2023 mund të jetë një afat për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Afatet e fundit, apo ultimatumet asnjëherë nuk funksionojnë, ose funksionojnë kundër jush, por ka diçka si një afat i butë, siç edhe e kemi njoftuar në dokumentin e adoptuar të mërkurën e kaluar, që qëllimi ynë është që t’i informojmë shtetet anëtare për rezultatet e grupit special për normalizim me Kosovën, dhe kapitulli tjetër 35, përditësim për Serbinë dhe të dy këto takime do të mbahen në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm, pra mund ta merrni këtë si një afat kohor”, ka thënë Lajçak.
Ai tha se propozimi për zgjidhjen përfundimtare është propozim evropian me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës.
“Është produkt i përbashkët, është propozim evropian, me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës. Jemi si ekip, punojmë bashkë, nuk ka konflikt mes nesh. Mund të ketë emra të ndryshëm në letër por ekipi po punon në unitetit, dhe vizita ime në Prishtinë dhe Beograd më 9 shtator i shoqëruar edhe nga zoti Jens Plettner dhe zoti Emmanuel Bonn ishte dëshmia më e mirë e këtij uniteti”, ka pohuar Lajçak.
Lajçak tha se synimi është që normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të kryhet deri në fillim të 2024 dhe ajo që nuk bëhet deri në këtë periudhë, tha ai, mund të mos bëhet fare.
“Jemi këtu për të ndihmuar, për të ndërmjetësuar, ne, po flas në emër të Bashkimit Evropian por po besoj edhe në emër të SHBA-së, nuk mund që ne të duam normalizimin më shumë se Kosova dhe Serbia, pra nëse palët nuk pajtohen atëherë nuk do të ketë normalizim, dhe si rrjedhojë nuk do të ketë progres në rrugën evropiane, dhe do të vazhdoni të merreni me çështje si ajo e targave, apo të tjerë, në vend se të ecni drejt integrimit evropian, dhe nuk mendoj se kjo do të ishte një perspektivë shumë inkurajuese”.
“Prandaj besoj se normalizimi mund të pres por nuk shoh arsye pse të pres, pra të bëjmë më të mirën për të shfrytëzuar kohën e mbetur, bëjë dhe një thirrje me këtë rast, ta shfrytëzojmë këtë moment unik dhe shumë të favorshëm, të gjithë elementët janë në dispozicion, kemi mbështetjen e plotë si të BE-së ashtu edhe të SHBA-së, kjo situatë të përfundojë para 2024-ës, pasi pastaj BE ka zgjedhjet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara poashtu, ashtu që nuk do të kenë kohë dhe mundësi për tu fokusuar në dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve sidomos atyre amerikane është vështirë të parashikohet, andaj them se ajo çfarë nuk bëhet deri në fillim të 2024-tës mund të mos bëhet fare. Pra ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe gjithë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, dhe të arrijmë sa më shumë që të mundemi, për një normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë ai në RTV21.