Pak ka rëndësi nëse luhet në Ligën e Parë, në kuadër të Kupës, në garën për mbijetesë ose për titull në Superligë.
Edhe kur pikët nuk e kanë vlerën e madhe, derbi i qytetit të Gjilanit është i pakonkurrencë. Është derbi bindshëm më i madh në sportin vendor, ndërsa tifozët e të dy skuadrave e vlerësojnë edhe prej më të mëdhenjve në regjion, shkruan sot Koha Ditore.
Sa herë që takohen Drita e Gjilani, ndeshjet e tjera mbesin në hije, ndërsa i gjithë fokusi është në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Në fakt ka shumë vite që derbi nuk ka qenë vendimtar në luftën për titull të kampionit. Herë njëri e herë ekipi tjetër nuk ishin pjesë e garës për të parin në tabelë, e shpesh të dy ekipet kanë qenë në pjesën e poshtme.
Këtë edicion situata është ndryshe, shumë më e favorshme. Gjilani e Drita janë pjesë e skuadrave që vlerësohen pretendente të mëdha për titull të kampionit. Gjilani është i dyti me 32 pikë, dy më pak se Ballkani që prin.
Drita është e treta me 31 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të katërt. Pikërisht derbi lokal do t’i japë drejtim rrugëtimit të Dritës e Gjilanit në stinorin pranveror të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja Drita – Gjilani luhet të dielën nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan, në kuadër të xhiros së 18-të, të parës për pranverë. Nuk ka mundur të mendohet fillim më i zjarrtë i stinorit që pritet të ofrojë garë të fortë për titull, por edhe për pozitën e dytë.
Gara për titull është forcuar shumë pasi titulli ofron pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Këtë edicion për herë të parë edhe i dyti në kampionat del në Evropë, në kualifikimet e Ligës së Evropës.