Premier Liga e Rusisë është duke planifikuar që të vazhdohet stinori më 21 apo 28 qershor, pas pezullimit të ndeshjeve shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Asnjë ndeshje nuk është luajtur në elitën e Rusisë që nga 16 marsi, por liga në faqen e saj ka njoftuar se i ka propozuar klubeve dy opsione për rifillimin e kampionatit. Kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në fund.
Një opsion është të rinisë kampionati më 21 qershor, ku do të luhet nga një xhiro në javë për dy javët e para, në mënyrë që të mos ngarkohen menjëherë lojtarët. Më pas do të luhen nga dy xhiro në javë.
Opsioni i tjetër është rifillimi i stinorit më 28 qershor, ku do të luhen dy xhiro në javë.
“Të dyja opsionet e kanë edhe të llogaritur përfundimin e Kupës së Rusisë, vendim për të cilën garë do të merret nga Unioni i Futbollit Rus (RFU)”, është thënë në faqen zyrtare të Primera Ligas.
Bisedimet po vazhdojnë se si do të rinisin stërvitjet dhe si të kthehen lojtarët e huaj në klubet e tyre. Po ashtu është duke u diskutuar nëse tifozët do të lejohen në stadiume kur të rifillojë kampionati.
Zenit St Petersburg kryeson renditjen me 50 pikë nga 22 ndeshje, nëntë para Lokomotivës së Moskës dhe Krasnodarit.
Rusia ka regjistruar mbi 80 mijë raste me koronavirusit dhe gati 800 të vdekur.