Asnjë premtim i përmbushur i kryetarëve të komunave nuk figuron në platformën e Institutit për Studime të Avancuara GAP, që janë regjistruar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Me gjithë numrin e madh të premtimeve të bëra nga pothuaj secili prej tyre, rezultati ende është zero. 108 premtime janë bërë vetëm prej tre kryetarëve të komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Obiliq e Fushë-Kosovë).
Më së shumti prej tyre ka premtuar kreu i Fushë-Kosovës, Burim Berisha 42, pastaj ai i Obiliqit, Xhafer Gashi 34 dhe në fund Agim Veliu i Podujevës me 32 premtime. Zyrtarët e Institutit për Studime të Avancuara GAP kanë thënë se vlerësimi i përmbushjes ose jo të këtyre premtimeve do të fillojë në pjesën e dytë të vitit, shkruan sot Koha Ditore.
“GAP-i ka bërë listimin e premtimeve, por akoma nuk kemi nisur me vlerësimin e përmbushjes së premtimeve ose jo të tyre. Ky vlerësim pritet të bëhet në pjesën e dytë të vitit”, ka thënë hulumtuesi i lartë në GAP, Bekim Salihu.
Ndërkohë, disa prej zyrtarëve komunalë nuk janë përgjigjur, e disa të tjerë kanë thënë se ka projekte që kanë filluar të realizohen e disa nuk kanë kthyer përgjigje.